Sot, në vendin tonë të gjithë e njohin “Mrizin e Zanave” dhe në tryezat e Altinit gjenden ministra e vipa. Në një vit ka 60 mijë rezervime, 30 veta punojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërsa 300 familje fshatarësh të zonës furnizojnë restorantin.
Kush shkon e mbledh shegë të egra, e kush fruta pylli. 50 barinj garantojnë tre mijë dhi dhe qengja, të tjerë derra e pula, të gjitha këto, brenda për brenda zonës.
Suksesi i Altinit ka lindur në Itali, ku ka fituar dijet, që më pas i interpretoi në fshatin shqiptar të origjinës.
Kur u nis në 1998 për në Itali ishte 15 vjeç. Nuk e kishte menduar kurrë se, disa vite më vonë do të ftohej në “Expo Milano” si një i ftuar internacional.
Ai kujton ditën kur u nis, nuk ishte larg shtëpisë, ishte afër bunkerit, i cili edhe sot është i dukshëm në hyrje të restorantit.
Altini ka treguar historinë e tij për “La Famiglia Cristiana”: “Një shoku im i klasës, i cili po kalonte me makinë me vëllain e tij të madh, më pyeti duke bërtitur, a doja të shkoja në Itali. Ai e dinte që po kërkoja një mënyrë për të emigruar. Menjëherë vrapova të lajmëroja familjen. Mamaja ime qante, ndërkohë që unë u bëra gati për një orë, duke qeshur e duke bërë trimin. Sapo i ktheva shpinën asaj, buzët më dridheshin nga një përzierje dhimbjeje, lumturie dhe emocioni”.
Ai e kaloi kufirin në mënyrë klandestine, me kushte shumë makabër, e ashtu arriti në Bari por direkt synonte Veriun, ku kishte të atin, i cili punonte në një restorant. Pak më vonë i arriti edhe vëllai tjetër, Antoni. 15 vjeçari, teknikisht ishte akoma një klandestin.
“Fillova si një pjatalarës”, tregon Atini. “Në një restorant me yje”.
Në këtë restorant dhe në aventurat mbas tij, pasuan shumë eksperienca të tjera, të cilat ndikuan në rrugëtimin e tij drejt suksesit.
Gjatë kësaj rruge ai kuptoi edhe që nostalgjia e shijeve të stërgjyshes së tij kishte emër, “Slow Food”.
Në 2009 ai zgjodhi të riemigrojë në Blinisht. Bashkë me villain, Antonin dhe me konsulencën e të atit (i cili tashmë kishte lëvizur në Campiglio), hapi “Mrizin e Zanave”, të cilin e quajti kështu nga vepra e Gjergj Fishtës.
Në fillim nuk ishte e lehtë
“Ishim thuajse të huaj, nuk e kuptonim si funksiononin gjërat, nga burokracia e deri te mungesa e kontrollit dhe kualitetit”,- thotë Altini. ”Përpara hanxharit, çdo lloj mishi ishte njëlloj. Nuk kishte rëndësi çfarë lloj kafshe ishte apo si ishte rritur. Ndërsa në hotelet e mëdha, vlerësoheshin vetëm gjërat, të cilat konsideroheshin të rëndësishme në Perëndim, madje fruti më i blerë ishte banania”.
Aman, kur Altini iu përgjigj kësaj fryme me lëngun tradicional të shegës dhe kompozimin e sardive dhe verave cilësore shqiptare, tregu e vlerësoi atë dhe shefat e tjerë protagonist, për këtë “revolucion të kulinarisë”.
Përveç kafes dhe sheqerit, çdo gjë tjetër tek “Mrizi i Zanave” prodhohet në Blinisht. Madje edhe sigurimi i tyre, bëhet gjithmonë duke respektuar natyrën, ndaj perimet janë gjithmonë të stinës.
Sforcim është pjesa e organizimit të banorëve të zones
“Duke ndjekur modelin italian, po promovojmë një frymë bashkëpunimi midis prodhuesve, në mënyrë që të përballojmë bashkë problem, si: sëmundjet e kopeve apo përmirësimi i teknologjive, për mbledhjen dhe konservimin e qumështit, etj.”, shprehet Prenga.
 Për Altinin, rizbulimi i kuzhinës ishte reflektim mbi historinë e Shqipërisë: “Na është dashur të përballojmë dy tsunami. 40 vitet e diktaturës kanë prekur edhe shijet e shqiptarëve, mjafton të shikosh bukën dhe djathin; janë mësuar ta kenë të bardhë dhe në formë kuadrati, të rregullt. Por kur pyet të vjetrit në shtëpi, zbulohen shijet e vjetra. Pastaj, në vitet ‘90, goditi konsumizmi i dhunshëm”.
Kjo është historia dhe rrugëtimi i Altinit, dy herë emigrant dhe sot, restaurues i suksesit të madh, që mbas 33 vitesh në Itali, në 2009 u rikthye në fshatin e tij të lindjes, ku hapi “Slow Food”-in e parë shqiptar, “Mrizin e Zanave”, i cili njihet edhe jashtë kufijve shqiptarë.