Lidhu me ne

Kioske

Si lahen pushtetarët tanë?

Si lahen pushtetarët tanë?Edmond Tupja

Para se të hyj në temë, diçka më e fortë, më e papërmbajtshme se vetja më shtyn të hedh sërish sadopak dritë mbi prejardhjen e fjalës “pushtetar”. Gojët e këqija kanë guximin të mëtojnë se kjo fjalë na ardhka nga fjala “pusht”, e cila, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), na paska dy kuptime: 1. ai që shkon pas femrave, gruar, kurvar; 2. maskara. Këtë përkufizim e përforcon edhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” i Kolec Topallit (Tiranë, 2017), ku saktësohet gjithashtu se kjo fjalë ka hyrë në gjuhën tonë nga persishtja, por përmes turqishtes. Nga ana tjetër, për pasojë të pashmangshme, të njëjtat gojë fjalën “pushtet” e analizojnë duke e ndarë në dy rrokje ‘pusht’, në kuptimin e mësipërm, dhe ‘et’ në kuptimin “etje”, siç e dëshmon edhe gegërishtja. Ndërkohë, shqipja e folur ka një proverb fort të vjetër, por që nuk figuron në asnjë fjalor, ndonëse përdoret ende sot e kësaj dite, e kam fjalën për proverbin tejet tronditës, por aq të vërtetë, “Politika është kurvë”, çka lë haptas të kuptohet se ata që merren me politikë duke bredhur pas asaj janë dhe nuk mund të jenë veçse kurvarë që duan patjetër e me çdo kusht të bëhen pushtetarë!

Ja, pra, ku na doli sërish fjala “pusht” si fjala kyç, d.m.th., themelore, e trinomit “pusht-pushtet-pushtetar”, ku dy kufizat e fundit përmbajnë fjalën “shtet”; rrjedhimisht gojët e këqija kurrë nuk kanë ngurruar të pohojnë se vjen një moment që çdo pushtetari, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, i duhet të vrapojë si pusht prapa kurvës politikë për t’u pasuruar, aq përvëluese e ka etjen për para, pa të cilat ai do të ndihej i humbur. Në këtë kuptim, duhet t’u kujtoj lexueseve dhe lexuesve të sotëm përkufizimin që, qysh në shekullin XVIII, i ka bërë politikës francezi D’Alembert: “Politika, ky art i të mashtruarit të njerëzve”, pra, logjikisht i bie që politikanët të kthehen në maskarenj kur bëhen pushtetarë. Ja tek dolëm kësisoj tek kuptimi i dytë i fjalës “pusht”.

Mirëpo, pushtetarëve u duhet të lahen e të pastrohen për të fituar qoftë edhe në dukje besimin e turmave elektorale, pra – dhe po hyj në temë – lind pyetja: Si lahen pushtetarët tanë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po përfitoj nga një shkrim i zonjës Johanna Amselem, në “Yahoo France”, e cila përmend sajtin “BrightSide”, që shpjegon se kur bëjmë dush, rendi sipas të cilit kryejmë veprimet e nevojshme për t’u larë hedh shumë dritë lidhur me personalitetin tonë. Kështu, ata që e nisin larjen në dush me fytyrën, i kushtojnë rëndësi të veçantë mënyrës si do t’i shohin të tjerët, prandaj kërkojnë që fytyra e tyre të jetë e përkryer nga të gjitha pikëpamjet! Vëreni fytyrat e politikanëve tanë dhe do të bindeni. Megjithatë, shpesh, ata e lajnë, pudrosin, parfumosin apo kremosin fytyrën e tyre sa për sy e faqe, siç shprehet populli ynë.

Kurse ata që nisin të lajnë fillimisht gjoksin tregojnë se, me gjasë, kanë një personalitet besimplotë, se ndihen mirë me vetveten, se janë të pavarur, pra, të pandikueshëm, çka i bën ata objekt admirimi nga të tjerët. Në këtë rast, sidomos po të kemi parasysh aktualitetin politik në vendin tonë, kryeqeveritari ynë nuk do t’i fuste në kabinetin e tij, sepse ai admirimin e quan një luks të cilin e meriton ai dhe vetëm ai! Ndërkohë, ata që fillimisht lajnë krahët dhe këmbët janë ose persona modestë (rrjedhimisht të padenjë për kabinetin e kryeqeveritarit tonë), ose persona që kanë forcë karakteri, që kanë aq siguri sa të shprehin qartas zgjedhjet dhe parapëlqimet e tyre (rrjedhimisht po aq të padenjë për kabinetin e kryeqeveritarit tonë). Sidoqoftë, një mendje më thotë se kryeqeveritari ynë do t’i përfshinte në kabinetin e tij ato dhe ata që, me t’u futur nën dush, fillojnë të lajnë organet e tyre gjinore, sepse – gjithnjë sipas sajtit “BrightSide” – ky veprim sugjeron se mund të bëhet fjalë për individë të ndrojtur dhe që pak e vlerësojnë veten e tyre. Ndërkaq, kur dikush fillimisht lan kurrizin, kjo dëshmon se ai ka një personalitet mosbesues, çka me gjasë duhet të jetë e vërtetë për ish-pushtetarët tanë ose për ata pushtetarë që e ndiejnë se do të bien së shpejti nga fiku i pushtetit, prandaj kryeqeveritari ynë nuk do të ngurronte t’u kthente kurrizin.

Së fundi, shkrimin e zonjës Johanna Amselem do t’ua rekomandoja kryepushtetarëve, pra, kryeministrave tonë të ardhshëm, që ta lexojnë sa herë do t’u duhet të formojnë kabinetet e tyre qeveritare. Madje, idealja do të ishte që gjithë kandidatet e kandidatët e mundshëm për postet ministrore e zëvendësministrore të bënin dush pa e ditur që kreu i qeverisës së ardhshme po i vëzhgon fshehurazi për të parë se cilat e cilët prej tyre nisin të lajnë ato pjesë të trupit që nxjerrin në pah cilësitë e nevojshme të personalitetit për të kryer sa më mirë angazhimet e domosdoshme që implikon posti i tyre i ardhshëm. Ndoshta dikush nga ju mund ta quajë këtë “vuajërizëm”, por këtu nuk ka asgjë për t’u skandalizuar, përderisa bëhet fjalë për qeverisjen e vendit dhe për mirëqenien e popullit pjesërisht votëshitës!/Panorama

MË TEPËR

Mix16 orë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Mix16 orë më herët

Mosha biologjike: Pse është problem nëse rezulton shumë e lartë?!

Një mospërputhje midis moshës suaj biologjike dhe asaj të treguar në kartën tuaj të identitetit mund të nënkuptojë një rrezik...

Mix16 orë më herët

Çfarë i tërheq mushkonjat?

4 gjëra që duhet të dini për atë që tërheq mushkonjat! Çfarë i tërheq mushkonjat tek ne? Disa faktorë: dioksidi...

Mix16 orë më herët

Tinder merr një veçori “Share My Date” për përdoruesit që të dërgojnë plane takimesh te miqtë e tyre kurioz

Nuk është e pazakontë që njerëzit të bëjnë fotografi të profileve të takimeve dhe t’i dërgojnë ato te miqtë dhe...

Mix16 orë më herët

Si të “shëroheni” nga varësia ndaj telefonit?

Mediat sociale janë tashmë pjesë integrale e jetës tonë dhe në disa mënyra ato kanë përmirësuar në masë të madhe...

Mix16 orë më herët

5 rregulla kyçe për një martesë të shëndetshme

Ditët e sotme martesa e shëndetshme është kthyer në një sfidë më vete për shumë çifte, kjo për disa arsye...

Mix16 orë më herët

Kolesteroli i lartë, 5 mite absurde që duhet t’i largoni njëherë e mirë nga mendja juaj

NGA LIVING Kolesteroli është një yndyrë e dyanshme: e prodhuar nga mëlçia, nga njëra anë është e rëndësishme për trupin...

Mix16 orë më herët

Një këshillë nga Megan Fox për vajzat beqare

Megan Fox, në një intervistë për E!News, iu përgjigj pyetjes: “Ka shumë vajza që do ta kalojnë verën si beqare,...

Mix16 orë më herët

Trajneri i Taylor Swift zbulon sekretin e saj si të ushtroheni si profesionist

Kur vjen puna te palestra, Taylor Swift është bishë e vërtetë. Në të vërtetë, trajneri i saj personal, Kirk Myers...

Mix16 orë më herët

Filmin më të keq të karrierës së tij; Sylvester Stallone e ka falë Arnold Schwarzenegger!

Arnold Schwarzenegger ka zbuluar se dikur ka bindur Sylvester Stallone, të nënshkruante atë që doli të ishte një nga filmat...

Facebook