Lidhu me ne

Kryesore

18 Maji po afron…

Përpjekja e partive të vogla për tryezën politike dhe mungesa e instrumenteve kushtetuese nga presidenti për një marrëveshje politike. Sa potencial kanë lëvizjet e ditëve të fundit për të hapur komunikimin mes palëve dhe a ka shanse të përsëritet 18 maji i 2017-s.

Arion Sulo

Pothuajse dy vite më parë, Agron Duka dhe Fatmir Mediu iniciuan tryezën e të gjitha partive parlamentare, me qëllim zgjidhjen e krizës identike me ngërçin e sotëm. Nën një akord paraprak, frontit opozitar po i bashkohej në heshtje edhe LSI-ja e PDIU-ja që ishin në qeveri, ndërsa kryeministri Rama mbeti vetëm. Në mbrëmjen e 17 majit, kryetarët e PD-së, LSI-së, PDIU-së, PR-së, LZHK-së, PDK-së, PBDNJ-së e PAA-së kishin përballë kryeministrin, i cili po bënte sikur nuk donte të pranonte paketën McAllister Plus. Rama kërkoi takim veçmas me Bashën dhe pesë orë më pas dolën me një pakt që, ndër të tjera, mohonte koalicionet në zgjedhje, çka ishte goditje e madhe për partitë e vogla.

Pesë aleatë të PD-së i kërkuan dje presidentit thirrjen e një tryeze politike, me qëllim arritjen e marrëveshjes që do t’i jepte fund krizës, ndërsa kreu i shtetit u shpreh pas takimit se nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës, pa përmendur ndonjë hap të afërm në drejtim të tryezës.

Pafuqia e të vegjëlve

Ngjashëm me majin e 2017-s opozita kërkon largimin e kryeministrit dhe shtyrjen e zgjedhjeve që do t’i përgatisë një qeveri kujdestare. Kjo ka krijuar përshtypjen se një mediacion ndërkombëtar apo një marrëveshje e aktorëve vendas mund të jetë një nga opsionet e zgjidhjes së krizës. Në kushtet kur faktori ndërkombëtar nuk ka dërguar deri tani asnjë zyrtar të kalibrit të McAllister apo Hoyt Yee dhe për më shumë e ka deklaruar se as nuk ka, e as do të ofrojë ndonjë çelës magjik për ngërçin shqiptar, përpjekja e “të vegjëlve” që i apeluan Metës tryezën e negociatave është më mirë se hiçi dhe mund të shërbente si fillim i vendosjes së komunikimit mes dy kampeve politike. Është mirë që të konsumohet edhe kjo fazë e krizës për të parë çfarë mbetet më tej.

Por Mediu, Dule, Ndoka, Shehi dhe Duka në fund të ditës dihet që nuk kanë gjë në dorë për të bindur Bashën dhe Ramën që të ulen së bashku dhe aq më tepër që ky i fundit të pranojë largimin e vet si kryeministër dhe të japë dakordësinë për zgjedhje të parakohshme. Nga Berlini dje, kryeministri ruajti të njëjtin pozicion refuzues për marrëveshje me opozitën, kur tha se “kemi qenë dhe jemi gjithnjë të gatshëm për dialog, por asnjëherë nuk do të negociojmë Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Boll më me zgjidhje ekstra që na kanë kthyer në po të njëjtat probleme ekstra”.

Pa risi ishte edhe Basha nga Farka. “Nuk ka asnjë çedim, asnjë hap prapa. Largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm dhe për t’i hapur rrugë dialogut politik dhe qeverisë kalimtare”, tha kreu i PD-së, i cili po i drejtohet protestës së 11 majit me merakun që të demonstrojë se numri i pjesëmarrësve të jetë më i madh se 13 prilli.

Nga ana tjetër, Meta si politikan me përvojë e di mjaft mirë se tryeza me Ramën dhe Bashën s’mund të jetë thjesht një lëvizje mediatike pa përfundim konkret, siç i ndodhi paraardhësit të tij.

Ai do të angazhohej në një ndërmarrje të tillë nëse nga kontaktet me të dyja palët do të nuhaste se diçka mund të arrihej, sikurse nuk do t’i shkonte pas idesë së partive të vogla duke e ditur që në fillim se do të dështonte. Megjithëse tha se duhet reflektim për të mos vazhduar askush nga pozitat e “të fortit” pikërisht atje, në tehun e buzës së greminës, presidenti e bëri të qartë se instrumentet kushtetuese në duart e tij mungojnë. Duke treguar përpjekjet që ka bërë gjatë kësaj kohë ai tha se “… Nuk shikoj arsye për t’i mediatizuar, sepse nuk dëshiroj pritshmëri të mëdha nga angazhimi i presidentit, për shkak edhe të mungesës së instrumenteve kushtetuese të presidentit për të parandaluar apo për të dekurajuar një situatë të tillë, jo vetëm përmes mesazheve apo veprimeve të tij”. Vështirësia e Metës për një tryezë politike shtohet po të kemi parasysh edhe përplasjet e forta të tij kohët e fundit me kryeministrin, të cilat e bëjnë këtë të fundit që mos ta shohë Metën si president mbi palët.

Dy muaj të gjatë

Deri tani opozita ka djegur dy afate që lidhen me zgjedhjet, atë të regjistrimit të komisionerëve dhe partive në KQZ, por me precedentin e 2017-s, kur zgjedhjet u shtynë dhe për afatet ligjore vendosi marrëveshja politike, shumëkush beson se do të kemi sërish një deja vu. Sigurisht që mund të ndodhë. Vetëm se këtë radhë duhet ta kalojmë të vetëm ylberin. Ndërkombëtarët, siç po e vërtetojnë përditë, na kanë lënë në fatin tonë dhe e konsiderojnë klasën politike të maturuar mjaftueshëm për të kapërcyer ngërçe të tilla.

Pa shenja lëshimi nga qeveria dhe opozita deja vu e 2017-s duket e largët. Kreu i PD-së, nëse ndodh që të jetë sërish përballë kryeministrit, nuk mundet të dalë me të njëjtën marrëveshje si në majin e 2017-s, sepse, siç e ka thënë dhe vetë, “nëse ma hedh një herë është faji yt, nëse e bën sërish është faji im”. Asnjë shpjegim sado racional nuk do ta shpëtonte politikisht Bashën.

Nga ana tjetër, Rama ndodhet tani për tani më i favorizuar, pasi me të gjitha skandalet e kohëve të fundit të qeverisë së tij, ndërkombëtarët i kanë dhënë shumë mbështetje në krizën politike, duke kundërshtuar aktet e opozitës për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pa presionin e tyre për të gjetur një way out, kryeministri, gjithsesi ka dy pengesa shumë të mëdha përpara gongut të 30 qershorit. Dështimin eventual të negociatave me Bashkimin Europian dhe vënien në dyshim të legjitimitetit të zgjedhjeve pa opozitën. Të dyja politikisht do të detyronin çdo kryeministër të rishihte pozicionin. Me gjithë të vërtetat për koniunkturën e vështirë në panoramën politike të vendeve europiane, nëse më 21 qershor Këshilli Europian i hap semaforin jeshil Maqedonisë dhe ne na shtyn për vjeshtë, atëherë të gjitha alibitë me ekstremistët e djathtë në Francë dhe Holandë bien. Opozita dhe opinioni do të kenë një argument të fortë për të mbështetur kauzën e tyre, e cila në këtë rast do të bashkohej edhe me vendimin e Bashkimit Europian. Sikurse një mrekulli e orëve të fundit, siç mund të konsiderohet tanimë çelja e bisedimeve e Shqipërisë me BE-në, do të ishte gati një dështim i qëndrimeve të opozitës.

“Unë padyshim që do të takohem me të gjithë, jo vetëm me kryeministrin, por edhe me përfaqësues të tjerë politikë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Edhe me shumë njerëz të tjerë të përgjegjshëm, të cilët kanë përgjegjësi për vendin, sepse kjo nuk mund të kthehet në një lojë ‘të fortësh’ dhe më pas askush të mos mbajë përgjegjësi për pasojat që mund të vijnë”, tha dje presidenti Meta, duke përcjellë mesazhin se përpjekjet e tij mund të mos mjaftojnë.

18 maji po afron dhe ndoshta historia përsëritet dy herë, jo si komedi. Sepse nëse aksioma e famshme vërtetohet, do të gjendemi para zgjedhjeve të tilla që, siç i përshkroi presidenti, “do të ishin një shëmti politike që nuk do ta kapërdinte askush, as vetë socialistët e thjeshtë.”/ Gazeta Liberale

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

Çfarë na tregoi Sondazhi për Opozitën?

Nga Indrit Vokshi Sondazhi në vetvete është njëfarë “spiunazhi”, ai përdoret si mjet për të mbledhur informacion e për të...

Kryesore2 ditë më herët

Çim Peka sulmon Ylli Rakipin dhe televizionin ku bëhet emisioni

Pak ditë më parë, gazetari Ylli Rakipi, deklaroi në emisionin e tij se para disa kohësh, kishte parë në një...

Kryesore3 ditë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar3 ditë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix3 ditë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix3 ditë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix3 ditë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix3 ditë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix3 ditë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix3 ditë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Facebook