Nga Ilir Seci
Kangët tona të vjetra popullore jane nji pasuni e madhe që kena, janë thesare të vërteta. Janë vlera kulturore që na pasunojnë duke na ushqye shëndetin shpirtnor. Këto kangë dishmojnë pafundësinë e kësaj pasunie, në kohë dhe hapësinë, bukuria e të cilave asht universale, nga lashtësia e deri në kohën tonë. Çdo kangë e vjetër e jona asht si nji çilës magjik që hap porta magjish e miradinash shpirtnore. Mbasi pranë kanga, nësa poleni i muzikës asht ende në ajri, njeri rrrin e shkoklon vargjet në heshtje nji nga nji… Kush nuk e ka ndie per shembull kangen “Shegë e ambël”, këndue nga Luçie Miloti, kangtarja me zanin ëngjëllor!?
“Shegë e ambël shegë e butë, më shkoi vera pa të kputë”…
Dy vargje-çilës që munden me hapë porta magjish… Vargje qe kane mbrenda magjinë “Sesam Hapu”, vargje që të prijne udhën në Mitin e Lashtë të Antikitetit, mitin e Persefonit dhe Demetrës, mitin që daton nga misteret Eleusiniane, dikund nja 1500 vjet Para Krishtit… Pse këndohet “Më shkoi vera pa të kputë”!? Për me gjetë përgjegjien, vargjet e kangës duhet me i trajtue si ato kërkimet arkeologjike, me ua hjekë ngeshëm me majë të gishtave dheun që u ka ra përmajè gjatë shekujt të shumtë, e mbasandej me kundru konturet e mitit që shpërfaqet. Konturet e Mitit të Persefonit… Mitit që difton fillimin…Në fillim bota ishte e lulezueme tanë vitin, tanaherat kishte fruta dhe perime që baheshin rrotull vitit. Moti tanaherat mbante i butë dhe pemët dhuronin frutat e tyne në të dymbëdhetë muejt, pa ia nda. Perëndesha e të korrave, Demetra, ecte mbi Dhe bashkë me të bijën e saj të bukur Persefonin. Kudo që shkelnin ato te dyja, kishte begati, fara dhe zhardhokë leshonin rranjë përfundi kambëve të zbathuna. Sa here shkelnin ato te dyja dheu begatohej…
“Vasha me shegë” – pikture nga piktori austriako-italian Eugene de Blaas
Thellë nàntokë, atje në terrin e mbretnisë së nandheshme, larg dritës të diellit, atje ku tresnin rrjedhën e tyne lumenjtë Stiks, Plegethon, Akeron, Lethe dhe Kokytus, zoti i nantokës Hades, digjej e shkrihej si qiri nga dashnia për Persefonin. Nji ditë, ndërsa Persefoni po shplodhte shtatin e saj ngat nji lumi të rrembyeshëm e të zhurmshëm, Hades çau dheun, doli befasisht mbi tokë dhe e rrëmbeu bukuroshen Persefoni. E mori me vedi në botën e tij nëndheshme.
“Hades rremben Persefonin” – fragment i nji amfore antike
Kaluen ditë dhe e Ama, Perendesha Demetra u shqetësue nga zhdukja e të bijes. Mori dheun mbarë, nuk la vend përnân dritë të Diellit pa kqyrë per të bijën. Hapi iu randue, e bashkë me hapin nisi me iu randue edhe zemra. Lulet pranë lulëzimin, të vjelat ndalen rritën. Ku nuk e kërkoi vajzën e vet Demetra e shkretë, në të katër qoshet e Dheut, por ma kot. Nuk gjindej kurrkund… Bota mbet pa pemë e fruta. Njerëzit në tanë botën u untuen. Dhimbja e Nanës Demetër, kerkimi i saj i pareshtun për të bijën e preku zotin Diell,(Helios), zotin që shihte gjithshka mbi dhe. Heliosi ndjeu keqardhje për Demetrën dhe i diftoi asaj se ku ishte Persefoni dhe se kush ia kishte grabitë. Demetra menjëherë shkoi në botën e nëndheshme të Hadesit, e vendosun me e marrë të bijën e vet. Nderkohë, nëntokë, Persefoni po tretej. E kaplueme nga dëshprimi, e mjera, nuk hante as pinte, vetëm tretej dhe dobësohej pëerdite. Sado që mundohej Hades me e shty me hangër, ajo nuk prekte asnji grimë ushqimi të tij. Derisa nji ditë, e shueme nga uja, ajo pranoi nji grusht kokrrash të nji shege…nisi me i hangër. Nësa ajo kishte hangër gjysën e kokrrave të Shegës, në mbretninë e Hades mbrrini Demetra, e mnershme dhe idhnake. Menjiherë kërkoi kthimin e ligjshëm të vajzës së rrëmbyeme. Hades qeshi tanë kopili… -“Unë ta kisha dhanë mbrapa”, – i tha, – “Por, ti po e sheh, që ajo ka hangër ushqimin tem. Simbas rregullave të botës së nándheshme, kur ta hanë atë ushqim ajo duhet me mbetë këtu përgjithmonë.” Demetra nuk u pajtue me ate gja dhe nisi perpjekja… Demetra dhe Hades u kapën dhe u banë copë me njani-tjetrin, Dheu nalt nga kjo perplasje u ba i ftohtë dhe e mbuloi mizerja. Jeta u bukos. Zeusi, mbreti i tanë perëndive, kur pa që vdektarët nuk kishin ma ushqim e po rrezikonin me vdekë ùje, vendosi me ndërhy. -“Boll ma” – u tha Zeusi, – “Nuk mund të vazhdohet ma kështu. Njerëzit po vdesin. Tue kenë se Persefoni ka hangër vetëm gjysën e kokrrave të shegës, atëherë vetëm gjysa e rregullit të botës së nándheshme vlen në këtë rast. Ajo ka me ndejtë me ty Hades, për gjashtë muaj të vitit. E për gjashtë muejtë e tjerë ka me ndejtë me Nanën e vet.” Prej asaj kohet kur vijne muejt qe Persefoni ka me shkue te e ama, ajo çan dheun dhe del në dritën e diellit, natyra e pret me hare ardhjen e saj. Bota lulëzon, në pemë shpërthejnë sythet, gjethet dhe dushki dalin ne mal. Nana dhe e Bija shëndojnë, qeshin e kuvendojnë tanë hare, gazmojnë bashkë e shëtisin kudo në tokën e begatë. Por, kur vjen vjeshta, Persefoni duhet me u përgatitë për muejt që ka me kalue nëntoke me zotin Hades. Krejt Natyra mërzitet bashkë me Demetren për atë kthim. Pemet kjajnë, zverdhin gjethet nga dhimbja dhe të dëshperueme i leshojnë përdhe njajtë si Demetra që shkul floket nga dhimbja për ikën e të bijës…
“Shegët e Majorkas” – pikture nga piktori amerikan John Singer Sargent
Shega na ka dhanë stinët e vitit. Nënteksti i vargjeve del aty, “Më shkoi vera pa te kputë”…Shkoi vera e gazmendit e po vjen vjeshta e lotëve të ndamjes… Kanga “Shegë e Ambel” ka mbrenda tanë referencat e këtij miti :
“Shegë e ambel shegë e butë, Më shkoi vera pa te kputë… Shegë e ambël ku m’je rrite/ Se me ty do të shkoj të ritë, Shegë e ambël ku m’je shejë, Se me ty unë du me ndejë, Shegë e ambël ku m’je pjekë, Se me ty unë du me vdekë, Shegë e ambël si sheqeri, Hajde te rrimë ku rrin skifteri, Rrin skifteri n’ato rranxa, Hajde t’rrimë ku rrin fëllanxa”
Referencat ne vargjet ku dashnori i rreshkun dishron me “shkue te ritë” bashkë bukuroshen, andrrimi per me “vdekë bashkë”, të tana na prijne udhen per te miti i lashte. Edhe referenca e grabitjes aty gjindet, te skifteri – “Hajde te rrime ku rrin skifteri”,- shpendi grabiqtar qe “rrin ku rrin fëllanxa”…aty janë Hades-Skifteri grabiqtar dhe Persefoni-Fëllanxa ngashnjyese…