Receta e sallatës ruse është një nga pjatat e preferuara në tryezat shqiptare, sidomos në rastet e gëzimeve familjare apo festave të fundvitit. Kjo sallatë e shijshme me perime të freskëta nën salcën e majonezës shoqëron në mënyrë fantastike gatimet e tjera të tryezës, për t’u shijuar me pjesëtarët e familjes. Sallatës mund ti shtoni dhe përbërës të tjerë, të cilët krijojnë shije të reja dhe dinamike, duke pasuruar shijet tradicionale.
Përbërësit: 
  • 100 gr fasule të ziera
  • 100 gr bizele të ziera
  • 100 gr karrota të ziera
  • 100 gr patate të ziera
  • Majonezë
  • 1 limon (i shtrydhur)
  • Pak vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
Mund të përdorni fasule të kuqe ose të bardha, dhe të shtoni kastravec turshi sipas preferencave dhe shijeve. E ruajmë në frigorifer për 7 ditë.
Udhëzime:
  • I lajmë fasulet dhe i ziejmë për 15 minuta në një enë. Më pas e ndërrojmë ujin, kullojmë fasulet dhe i vendosim sërish në enë me ujë të pastër për ti zier për 30 minuta. Hedhim kripë dhe vaj ulliri. Kujdesemi që fasulja të mos shformohet.
  • Lajmë dhe pastrojmë patatet, i vendosim në një tenxhere tjetër me ujë të ngrohtë për ti zier. Të njëjtën gjë bëjmë dhe për karrotat në të njëjtën enë.
  • Pasi të jenë zbutur, i heqim nga tenxherja dhe i kullojmë, bashkë me fasulet që vendosëm në fillim
  • Vendosim për të zier bizelet në tenxheren me ujë ku kishim patatet dhe karrotat. Kujdesemi që bizelja të mos shformohet.
  • Kur të jenë zier bizelet, i bashkojmë me perimet dhe legumet e tjera. Presim në kubikë të vegjël patatet dhe karrotat. I vendosim të gjithë përbërësit në një pjatë sipas sasive që dëshirojmë. Shtojmë majonezë, lëng limoni dhe i përziejmë.
  • E provojmë salcën e sallatës dhe nëse ka nevojë i shtojmë kripë, vaj ulliri. I përziejmë sërish përbërësit dhe e vendosim në frigorifer.
Receta realizuar nga Renato Mekolli
Teksti dhe foto marrë nga renatomekolli.com