Lidhu me ne

Aktualitet

Fundi i një Epoke

Pas tri mandateve në Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako nuk rikonfirmohet nga kryeministri. Rënia e kryebashkiakut që u përgjua me bandat kriminale dhe “larja e duarve” e Ramës nga i akuzuari kryesor i blerjes së votave

Suadela Balliu

Nëse Vangjush Dako do të përshkruhej me dy simbole, ato do të ishin Veliera dhe akullorja. Por, nëse e para, pas përplasjeve me shoqërinë civile dhe betejës gjyqësore duket se do të shkojë drejt realizimit, për të dytën kryebashkiaku i Durrësit, përballë përgjimeve të bëra tashmë publike nga dosja e shumëpërfolur “339”, duket se ka pak armë në dorë për të bindur.

Ndoshta më pak nga të gjithë, kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Socialiste, i cili në takimin e pasdites së djeshme në qytetin e Durrësit, në kuadër të turit “Bashkia që duam”, nuk ishte ai i katër viteve më parë, i cili vinte bast se Vangjush Dako fitonte mbi rivalen e tij në Durrës, Grida Duma, me disa mijë vota përpara.

Lotot dhe bastet janë mbyllur me vendim të qeverisë prej 1 janarit të këtij viti, por një bast i ri i rrezikshëm qëndron mbi kryet e Dakos dhe indicieve që dalin nga bisedat telefonike me grupin kriminal të “Avdylajve” për shitblerje të votave, në zgjedhjet parlamentare të 2017-s.

Ndryshe nga sa pritej, në një kohë kur kryesocialisti i bëri zyrtarë shtatë kandidatë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kulmuar me një manifestim në sheshin “Nënë Tereza” për kandidimin e Veliajt për një mandat të dytë në Tiranë, Edi Rama zgjodhi heshtjen në qytetin bregdetar, një nga bashkitë e rëndësishme të socialistëve, 12 vjet në qeverisjen e tyre, me Dakon në krye.

Edhe pse vlerësoi punën e Dakos dhe ky i fundit shprehu dëshirë për të punuar akoma, ajo që Rama konfirmoi ishte vetëm data e zgjedhjeve, ajo e 30 qershorit. Nuk e anashkaloi as të shumëpërfolurën dosje, që ishte edhe motivi që e çoi opozitën të digjte mandatet e deputetëve në Parlament e të niste protestat në rrugë, por toni që kishte zgjedhur kryeministri i ngjante më shumë atij të një komediani në një “stand-up show”. “Këta të burgosurit i nxirrnin me leje, tani thonë foli Gjushi në telefon me Niçen. Na u bë Niçja si të ishte Aleksandër Moisiu, zëri i Niçes u bë si me qenë zëri i Luçiano Pavarotit. Këta i nxirrnin të burgosurit me leje dhe i merrte në krahë deputeti dhe vinte terrorizonte gjithë dynjanë”, do të thoshte Rama, në një përpjekje, mes batutash të tjera për Bashën e Kryemadhin, për të relativizuar krizën politike.

Edhe njëherë kryeministri sheh si varkë shpëtimi krahasimin me qeverisjen e shkuar, edhe pse janë gjashtë vite tashmë, nën qeverisjen e tij. “Flasin këta për krime, kriminelë? Ne nuk çonim dot komisionerë në Shijak, nuk shkonin dot njerëzit në komision. U detyrua partia t’i çonte të panjohur e të mos t’i shihnin të nesërmen. I harruat zgjedhjet në Shijak që kërciti druri?! Ata thonë: ‘Jo se na vidhni votat!’ Po kur ishit ju në qeveri, sa herë iu ka rrahur Dako?!”, do të thoshte Rama nga Durrësi, duke e njohur pushtetin faktik të kryebashkiakut, i cili në 12 vite qeverisje vendore, por edhe ca më herët në hipotekë apo Policinë Ndërtimore, e kishte shtrirë ndikimin e tij në të gjithë zonën, duke krijuar pushtet absolut me rrjetet dhe kontaktet e tij dhe një autonomi edhe nga qeverisja qendrore, ku në 12 vite si kryetar i bashkisë, gjysmën e ka kaluar me të djathtët në pushtet.

Ndoshta profili i tij prej njeriu i biznesit, e kishte bërë të mos identifikohej aq shumë nga elektorati me ngjyrat e partisë dhe me komunikimin e tij më shumë popullor sesa të një ligjëruesi politik – por edhe me miqësitë e tij te njerëz me ndikim në zona elektorale, siç doli edhe nga përgjimet telefonike – e bënë që të fitonte bindshëm tri herë radhazi.

Vangjush Dako, me një formim nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, do të njihej në Durrës si biznesmen për vite të tëra, pasi bashkë me të vëllezërit do të themelonte kompaninë e ndërtimit, “3-D Sh.p.k.”, por me t’iu futur politikës dhe punës në administratën shtetërore do të tërhiqej nga biznesi, duke ia lënë aksionet vëllezërve.

Në vitet 2001 – 2002 ishte drejtor i Policisë Ndërtimore, në Qarkun e Durrësit, ndërsa në vitet 2004 – 2005, ishte drejtor i Hipotekës së qarkut, ndërsa më 2007-n, vendos të dalë si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Durrësit.

Përpara publikimit të përgjimeve, që e përfshinë Dakon në ato që opozita i quajti “pazaret me votat”, në Durrës do të kritikohej si njeriu që hidhte beton, me kompaninë e të vëllait, në zonat arkeologjike të kategorisë “A”. Për dy vite, gjykata i pezulloi punimet e ndërtimit të “Velierës”, pranë Torrës Veneciane, por në muajin mars, me vendim gjykate kanë rinisur punimet.

“Qyteti nuk jeton më vetëm me të shkuarën, por edhe me të tashmen, punën tonë të përditshme për zhvillimin e qytetit”, do të thoshte Dako duke iu referuar projekteve si “Sfinksi” dhe “Veliera” në Durrës, ndërsa ashtu si edhe katër vjet të shkuara, do të fliste për baltosjen që i bëhet punës së tij nga opozita.

Edhe njëherë do të ndalej te pastërtia dhe ndershmëria e punës së tij, gjatë takimit me banorët e Durrësit, në krah të kryeministrit. Dako do të thoshte se pas çdo vepre të bukur, që banorët kanë parë në qytet, qëndron Edi Rama, të cilin e falënderoi për mbështetjen jo vetëm në gjashtë vitet e qeverisjes, por edhe kur socialistët ishin në opozitë. “Edhe ajo Veliera që është penguar dhe do të përfundojë, janë dëshmi e gjallë e zgjimit të koshiencës së shqiptarëve për estetikën”, do të thoshte Dako, ndërsa citonte një mikun e tij, se Edi Rama u kish ngjallur shqiptarëve dhe durrsakëve koshiencën për estetikën.

Por nëse Rama do të pohonte, duke e mbështetur Dakon për Velierën, e bllokuar sipas tij pa arsye, se arkitekti pas veprave të debatuara në Durrësin e rrënojave arkeologjike që dalin në sipërfaqe pas çdo gërmimi, zor se do të bënte të njëjtën, duke pohuar se është ai pas çdo vepre të Dakos, edhe pas kontakteve me grupe kriminale e pas bisedave të qarta për shitblerje votash, jo për zgjedhjet lokale, porse ato parlamentare.

“Falënderoj Edi Ramën si bashkëpunëtor, që në ditët e para që kam nisur punën si kryetar bashkie jemi konsultuar për vizionin e këtij qyteti”, do të thoshte Dako, ndërsa i quajti ata 56 mijë durrsakë që e votuan katër vjet më parë, mbështetës të drejtimit të duhur.

I vetëdijshëm ndoshta se po të merrte një konfirmim për një kandidim të katërt në Durrës, do të ishte për shefin e tij “vetëvrasje politike”, frazë me të cilën Rama i adresohet veprimit ekstrem të opozitës, Dako siguroi se në përfundim të këtij mandati, do të mbajë edhe një tjetër premtim të dhënë, atë të furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin.

Mbi dosjet që po trazojnë politikën, duke iu referuar pa i përmendur atyre “339” dhe “184”, ku pretendohet për krim zgjedhor në Qarkun e Durrësit dhe të Dibrës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, do të kritikonte ashpër Prokurorinë e Krimeve të Rënda, vetëm pak ditë më parë, për cilësi të dobët hetimesh, lënie në harresë të dosjeve dhe trafik të informacioneve sekrete në media. Dosjet e mbajtura në sirtarë, për t’u përdorur për interesa të caktuara, u drejtohej Marku vartësve, kanë bërë që asaj t’i vijë turp nga disa prokurorë.

Prokurori që e ka pasur nën hetim atë dosje, ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, do t’i kundërpërgjigjej Markut se me vendim të saj, atij iu hoq kjo çështje nga hetimi dhe se kryeprokurorja duhet të përgjigjet për ata pushtetarë të përfshirë në atë dosje që, sipas tij, me urdhër të Markut vijojnë të qëndrojnë të lirë.

Kjo dosje që i dha jetë veprimit të paprecedentë nga një opozitë parlamentare, në tridhjetë vjet sistem pluralist dhe prodhoi krizë politike, e ka bërë emrin e Vangjush Dakos më të lakuarin në vend.

Por përgjimet me “Avdylajt” nuk janë të vetmet. Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, u vulos nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako.

Me dosjen dhe pohimin e Prokurorisë së Përgjithshme se po heton veprimtarinë e Dakos, Edi Rama do ta kishte të vështirë t’i jepte besimin për një kandidim të katërt kryebashkiakut, edhe pse do të shprehej: “Do të vihet nesër gramafoni për Dakon, por do të shohin rreth e rrotull punët e bëra nga Dako dhe nga Bashkia e Durrësit dhe do të bëjnë me vete krahasimin.”

Moskandidimi i Dakos, me gjasë, do të argumentohet me vendimin e Partisë Socialiste për të mos kandiduar për kryetarë bashkish ata që i kanë tashmë tri mandate.

Partia Socialiste pat bërë edhe një propozim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kryetarët me tri apo më shumë mandate të mos kandidonin në zgjedhjet vendore, por nuk mori votat që nevojiteshin. Ndër kryebashkiakët me tre apo më shumë mandate, që “mbretërojnë” në qeverisjet vendore janë Xhelal Mziu i Bashkisë Kamzë, Qazim Sejdini në Elbasan, Fiqiri Ismaili i Vorës dhe Vangjush Dako në Durrës. Numri në total shkon në pesë kryebashkiakë socialistë dhe dy demokratë.

Duke qenë se vendimi i KQZ-së ia la derën e hapur edhe për një garë të katërt Dakos dhe Sejdinit, edhe pse më 2015-n u miratua një ligj për “vetëqeverisjen vendore” që ua kufizonte kryetarëve të bashkive mandatin deri në tri herë radhazi. Por ky ligj nuk ka fuqi prapavepruese, do të thoshte Taulant Balla, që e fillon numërimin e mandateve me të hyrë në fuqi, jo më parë.

Të gjithë kanë të drejtë të garojnë, por do të jetë PS-ja dhe strukturat e saj ajo që do vlerësojë se kush do të ketë nderin të përfaqësojë kombëtaren e PS-së në zgjedhjet e 2019-s”, do të shprehej Balla, ndërsa zërat thonë se Partia Socialiste ka vendosur të mos kandidojë kryebashkiakët me tri mandate. Edhe pse përkufizimi i ligjit ka hapur debate, nëse duhet të jetë data e fillimit të mandatit apo hyrjes në fuqi të ligjit, moskandidimi i Vangjush Dakos në Durrës do të argumentohet nga kryetari i PS-së, si veprim që mbështet ligjin, ose më së paku vendimin e marrë nga partia. Nuk dihet nëse lobimi i fortë i PS-së për të mos u lejuar kryebashkiakëve më shumë se tri mandate të njëpasnjëshme vjen për të gjetur një justifikim ligjor për të larguar Dakon apo për të sulmuar bashkitë e djathta, ku numër të njëjtë mandatesh ka edhe Xhelal Mziu në Kamzë. Krejt paradoksalisht kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një takim me banorët e Kamzës, ndërsa opozita ka djegur mandatet dhe ka lajmëruar se nuk do të hyjë në zgjedhjet lokale, konfirmoi Mziun për një mandat të katërt. “Jam i sigurt që kur t’i bashkojmë forcat pushteti lokal me Xhelal Mziun dhe pushteti qendror me një qeveri që do t’u përgjigjet halleve, ndryshimi pozitiv do të ndihet”, thoshte Basha.

Por nëse PS-ja do të ndjekë filozofinë që ka lobuar, nuk do të kandidojë as Qazim Sejdinin në Elbasan, tri herë kryebashkiak. As aty nuk është bërë zyrtar emri i kandidatit, por zërat thonë se do të jetë prefekti i Elbasanit, Gledian Llatja. Nëse Vangjush Dako nuk do të kandidohet për herë të katërt, emri favorit do të jetë Spartak Kovaçi, aktualisht drejtor i Ujësjellësit.

Duke mos u kandiduar, Vangjush Dako humbet pushtetin politik, që dukej se e kishte konsoliduar në këta 12 vjet, me gjithë pushtetin dhe ndikimin në elektorat, me mjete që pritet të verifikohen nga prokuroria. Kjo e bën një rast të ngjashëm me atë të Saimir Tahirit, tashmë i zhveshur nga çdo lloj pushteti dhe imuniteti politik dhe një i pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nëse prokurorët do të shpluhurojnë dosjet e lëna në sirtarë, konkretisht atë “339”, e ardhmja e afërt e Dakos, pritet të jetë me gjasë si e Tahirit. Por nëse ky i fundit akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, i pari akuzohet, deri tani vetëm nga opozita, për krim elektoral, që e bën jo vetëm individin përgjegjës.

“Unë jam njeri me reputacion jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë. Unë jam akullore, duart e mia janë akullore të pastra dhe jo si kreu i opozitës që i ka me gjak dhe të zeza”, thoshte Dako muaj më parë, ndërsa emri i tij u shfaq në përgjimet e dosjes së grupit kriminal të Avdylajve. Por nëse çështja do të shkojë në gjykatë, nuk do të duhet të bindë vetëm opinionin publik për pastërtinë e tij, por trupën gjykuese, edhe pse çështja do të shkonte përtej. Me një opozitë që ka djegur mandatet vetëm me disa përgjime, nuk dihet ç’hapa do të ndërmerrte nëse prokuroria do ta çonte Dakon në gjykatë.

Ndërsa citonte një pinjoll të familjes Durazzo, nga Genova, kur kishte vizituar qytetin, do të thoshte se “Durrësi e una citta ben ordinata, citta di lusso”, ndoshta Vangjush Dako mund të mbahet mend si kryebashkiaku që ndërtoi Velierën e betonit mbi rrënojat arkeologjike, pa mundur ta betonojë pushtetin e tij për një mandat të katërt./ Gazeta Liberale

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix2 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix2 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix2 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix2 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix2 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix3 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix3 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix3 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix3 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook