Lidhu me ne

Kioske

Izrael – Palestinë: Shpjegimi për një nga konfliktet më të diskutueshëm në histori

Izrael - Palestinë: Shpjegimi për një nga konfliktet më

Konflikti izraelito-palestinez është një nga konfliktet më të zgjatura dhe më të diskutueshme në botë që lidhet me të njëjtin territor. Artikulli në vijim do t’ju ndihmojë të krijoni një ide të përgjithshme për këtë konflikt jashtëzakonisht të komplikuar.

Izraeli dhe Palestina: Pse po luftojnë?

Izraeli është shteti i vetëm hebre në botë, i vendosur në lindje të Detit Mesdhe. Palestinezët, popullata arabe që vjen nga toka që Izraeli kontrollon tani, i referohen territorit si Palestinë dhe duan të krijojnë një shtet me këtë emër në të gjithë ose në një pjesë të së njëjtës tokë. Konflikti izraelito-palestinez lidhet me faktin se kush e merr territorin dhe sesi kontrollohet ai.

Megjithëse pretendimet e hebrenjve dhe myslimanëve arabë në lidhje me territorin datojnë rreth dy mijë vjet, konflikti aktual politik filloi në fillim të shekullit të XX.

Hebrenjtë që ikën nga persekutimi në Europë, dëshironin të krijonin një atdhe kombëtar në atë territor atëherë me shumicë arabe dhe myslimane në Perandorinë Osmane dhe më vonë Britanike. Arabët rezistuan, duke e konsideruar tokën si të tyren. Një plan i hershëm i Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë secilit grup pjesë të tokës dështoi dhe Izraeli dhe kombet arabe përreth bënë disa luftëra mbi territorin. Ndarjet e sotme pasqyrojnë kryesisht rezultatet e dy prej këtyre luftërave, njëra e zhvilluar në vitin 1948 dhe një tjetër në 1967.

Lufta e vitit 1967 është veçanërisht e rëndësishme për konfliktet sot, pasi e vendosi Izraelin në kontroll të Bregut Perëndimor dhe Gazës, dy territore në të cilat banojnë popullata të mëdha palestineze. Alternativa për një zgjidhje mes dy shteteve është një “zgjidhje me një shtet”, ku e gjithë toka bëhet ose një Izrael i madh ose një Palestinë e madhe.

Shumica e njerëzve mendojnë se kjo do të shkaktonte më shumë probleme sesa do të zgjidhte, por ky rezultat po bëhet më i mundshëm me kalimin e kohës për arsye politike.

Çfarë është sionizmi

Sionizmi është ideologjia kombëtare e Izraelit. Sionistët besojnë se Judaizmi është një kombësi, si dhe një fe dhe se hebrenjtë meritojnë shtetin e tyre në atdheun e tyre stërgjyshor. Kjo ideologji është ajo që i ktheu hebrenjtë në Izrael në radhë të parë dhe gjithashtu në zemër të asaj që shqetëson arabët dhe palestinezët për shtetin izraelit.

Hebrenjtë shpesh i referohen kombësisë së tyre që nga mbretëritë biblike të Davidit dhe Solomonit, rreth vitit 950 para Krishtit. Sionizmi modern, duke u bazuar në dëshirën e gjatë hebraike për një “kthim në Sion”, filloi në shekullin  XIX – pikërisht në kohën kur nacionalizmi filloi të shfaqej në Europë.

Të gjithë sionistët pajtohen me idenë që Izraeli duhet të ekzistojë, por nuk bien dakord se si duhet të duket qeveria e tij. E majta sioniste, e cila dominoi politikën deri në fund të viteve 1970, është e prirur të vendosë paqe me kombet arabe, dëshiron më shumë ndërhyrje të qeverisë në ekonomi dhe preferon një qeveri laike, ndërsa e djathta sioniste, e cila gëzon pozita drejtuese dhe komandon opinionin popullor, ka tendencë të jetë më skeptike ndaj marrëveshjeve për paqe dhe dëshiron përzierje të fesë me politikën.

Arabët dhe palestinezët në përgjithësi e kundërshtojnë sionizmin, pasi karakteri i qartë hebre i shtetit izraelit do të thotë që hebrenjtë kanë privilegje që të tjerët nuk i kanë. Arabët shpesh e shohin sionizmin si një lloj kolonializmi dhe racizmi që synon përvetësimin e tokës palestineze dhe heqjen e të drejtave të tyre.

Si u bë Izraeli shtet

Zhvillimet shoqërore dhe politike në Europë i bindën hebrenjtë se kishin nevojë për vendin e tyre dhe atdheu paraardhës u duk si vendi i duhur për ta themeluar atë. Hebrenjtë europianë – 90% e të gjithë hebrenjve në atë kohë – mbërritën në sionizëm pjesërisht për shkak të persekutimit anti-hebre dhe pjesërisht sepse iluminizmi futi hebrenjtë në nacionalizmin laik. Midis viteve 1896 dhe 1948, qindra mijëra hebrenj u zhvendosën nga Europa në atë që asokohe ishte e kontrolluar nga Britania, Palestina, duke përfshirë një numër të madh të dëbuar nga Europa gjatë Holokaustit.

Shumë arabë e panë fluksin e hebrenjve si një lëvizje koloniale europiane dhe të dy popujt luftuan ashpër. Britanikët nuk mund të kontrollonin dhunën dhe në vitin 1947 Kombet e Bashkuara votuan për ndarjen e tokës në dy shtete. Banorët hebrenj e pranuan marrëveshjen.

Palestinezët, të cilët e panë planin si një zgjatim të një përpjekjeje për t’i larguar nga vendi, e luftuan atë. Shtetet arabe të Egjiptit, Jordanisë, Irakut dhe Sirisë të gjitha më vonë i shpallën luftë Izraelit gjithashtu.

Forcat izraelite mundën forcat palestineze dhe ushtritë arabe në një konflikt të egër që shndërroi 700,000 civilë palestinezë në refugjatë. Ndarja e Kombeve të Bashkuara premtoi 56% të Palestinës Britanike për shtetin hebre; deri në fund të luftës, Izraeli zotëronte 77% – gjithçka përveç Bregut Perëndimor dhe lagjes lindore të Jeruzalemit (i kontrolluar nga Jordania), si dhe Rripit të Gazës (i kontrolluar nga Egjipti).

Lufta i la izraelitët me një shtet, por jo palestinezët.

Çfarë është Nakba

Lufta e vitit 1948 largoi 700,000 palestinezë nga shtëpitë e tyre, duke krijuar një krizë refugjatësh që ende nuk është zgjidhur. Palestinezët e quajnë këtë dëbim masiv Nakba – arabisht për “katastrofë” – dhe trashëgimia e saj mbetet një nga çështjet më të vështira në negociatat e paqes. Palestinezët shpesh e shohin këtë ngjarje si një fushatë të gjatë, të paramenduar, për të pastruar etnikisht Palestinën nga arabët; Izraelitët tentojnë të fajësojnë arratisjen spontane arabe, ushtritë arabe dhe/ose aksidentet fatkeqe të luftës. Një kërkesë thelbësore palestineze në negociatat e paqes është një lloj drejtësie për këta refugjatë, më së shpeshti në formën e “së drejtës së kthimit” në shtëpitë e familjeve të tyre të braktisura në vitin 1948.

Çfarë është Bregu Perëndimor

Bregu Perëndimor është një territori i vogël në lindje të Izraelit dhe është shtëpia e miliona palestinezëve dhe do të përbënte zemrën e çdo shteti palestinez. Izraeli mori kontrollin e tij në vitin 1967 dhe ka lejuar vendosjen e kolonëve hebrenj, por palestinezët (dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare) e konsiderojnë atë si pushtim të paligjshëm.

Në vitin 1967, Izraeli bëri luftë me Egjiptin, Sirinë dhe Jordaninë. Izraeli goditi në fillim, por pretendon se po paraprinte një sulm të afërt egjiptian. Në gjashtë ditë, Izraeli shkatërroi fuqitë arabe, duke marrë Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor nga Jordania.

Jeruzalemi

Jeruzalemi është një qytet në kufirin midis Izraelit dhe Bregut Perëndimor, është shtëpia e disa prej vendeve më të shenjta si në Judaizëm dhe Islam, dhe kështu, si Izraeli dhe Palestina duan ta kenë territorin e tyre.

Për 20 vitet e para të ekzistencës së Izraelit, Jeruzalemi u nda. Izraeli kontrollonte një pjesë, ndërsa Jordania kontrollonte pjesën tjetër. Jordania kontrollonte Temple Mount, një zonë ku gjendet Western Wall, një tempulli antik hebre dhe një nga vendet më të shenjta të Judaizmit dhe dy prej monumenteve më të rëndësishme të Islamit, Xhamia al-Aqsa dhe Kupola e Shkëmbit. Hebrenjtë izraelitë nuk u lejuan të luten ndërsa Jordania e kontrollonte atë. Gjatë luftës së vitit 1967, Izraeli mori kontrollin e Jeruzalemit Lindor.

Gaza

Gaza është një rrip toke me popullsi të dendur që kryesisht është e rrethuar nga Izraeli dhe njerëzit janë palestinezë. Gaza drejtohet nga grupi islamik Hamas, i cili u formua në 1987 si një grup “rezistencë” militante kundër Izraelit dhe fitoi pushtetin politik. Hamas është një organizatë politike islamike palestineze dhe një grup militant që ka zhvilluar luftë me Izraelin që nga themelimi i grupit në vitin 1987, më së shumti përmes bombardimeve dhe sulmeve me raketa. Ai kërkon të zëvendësojë Izraelin me një shtet palestinez. Hamas qeveris gjithashtu Gazën në mënyrë të pavarur nga Autoriteti Palestinez.

Çfarë po ndodh së fundmi

Jeruzalemi ka përjetuar trazirën më të keqe ndër vite, me qindra protestues palestinezë të plagosur në përleshjet me policinë izraelite. Më shumë se 20 njerëz janë vrarë në Gaza pas luftimeve midis militantëve dhe Izraelit, dhuna është rritur në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe komunitetet arabe brenda Izraelit kanë mbajtur demonstrata.

Çfarë e ka shkaktuar rritjen e dhunës

E gjitha lidhet me pushtimin ushtarak gjysmë-shekullor të Izraelit dhe kontrollin e tij gjithnjë e në rritje mbi jetën palestineze. Në vazhdën e hapave të ndërmarrë nga administrata Trump dhe Izraeli për të forcuar kontrollin mbi territoret palestineze, mundësitë për një zgjidhje të krizës që daton prej dakadash janë të pakta.

Zgjedhjet izraelite në mars inkurajuan më tej të djathtën ekstreme të Izraelit, duke sjellë një parti ultranacionalistësh hebrenj, ndërkohë për palestinezët, zgjedhjet e fundit qeveritare janë ato të vitit 2006 pasi Mahmoud Abbas, udhëheqësi 85-vjeçar i Autoritetit Palestinez, i ka shtyrë ato, gjë që ka shkaktuar zemërim.

Një muaj më parë, filloi muaji i shenjtë mysliman i Ramazanit dhe palestinezët janë ankuar për ato që ata thonë se janë kufizime të ashpra të panevojshme nga policia izraelite, e cila i pengoi të mblidheshin në shkallët jashtë Qytetit të Vjetër – një traditë pas lutjeve të mbrëmjes. Mes tensioneve, pati një rritje të dhunës, ngacmime në rrugë dhe disa sulmeve midis hebrenjve dhe palestinezëve.

Ngjarjet erdhën në qendër të vëmendjes në fund të prillit kur qindra izraelitë të ekstremit të djathtë marshuan nëpër rrugët e qytetit duke brohoritur “vdekje për arabët”.

Bota dhe Izrael/Palestinë

Vendet jomyslimane përgjithësisht e njohin legjitimitetin e Izraelit dhe mbajnë marrëdhënie diplomatike me të, por shumica janë kritikë ndaj trajtimit të Izraelit ndaj palestinezëve dhe pushtimit të vazhdueshëm të Bregut Perëndimor.

Opinioni publik global aktualisht është përgjithësisht më përkrahës ndaj çështjes palestineze. Nëpër sondazhe, Izraeli është një nga vendet më pak të pëlqyeshëm në botë.

Burimet: Guardian, History.com, Vox, Encyclopaedia Britannica

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Edhe Bentley e ndien krizën

Për herë të parë në katër vite, shitjet e makinave Bentley ranë me 11% vitin e kaluar. Shefi ekzekutiv i...

Mix1 ditë më herët

Mosha biologjike: Pse është problem nëse rezulton shumë e lartë?!

Një mospërputhje midis moshës suaj biologjike dhe asaj të treguar në kartën tuaj të identitetit mund të nënkuptojë një rrezik...

Mix1 ditë më herët

Çfarë i tërheq mushkonjat?

4 gjëra që duhet të dini për atë që tërheq mushkonjat! Çfarë i tërheq mushkonjat tek ne? Disa faktorë: dioksidi...

Mix1 ditë më herët

Tinder merr një veçori “Share My Date” për përdoruesit që të dërgojnë plane takimesh te miqtë e tyre kurioz

Nuk është e pazakontë që njerëzit të bëjnë fotografi të profileve të takimeve dhe t’i dërgojnë ato te miqtë dhe...

Mix1 ditë më herët

Si të “shëroheni” nga varësia ndaj telefonit?

Mediat sociale janë tashmë pjesë integrale e jetës tonë dhe në disa mënyra ato kanë përmirësuar në masë të madhe...

Mix1 ditë më herët

5 rregulla kyçe për një martesë të shëndetshme

Ditët e sotme martesa e shëndetshme është kthyer në një sfidë më vete për shumë çifte, kjo për disa arsye...

Mix1 ditë më herët

Kolesteroli i lartë, 5 mite absurde që duhet t’i largoni njëherë e mirë nga mendja juaj

NGA LIVING Kolesteroli është një yndyrë e dyanshme: e prodhuar nga mëlçia, nga njëra anë është e rëndësishme për trupin...

Mix1 ditë më herët

Një këshillë nga Megan Fox për vajzat beqare

Megan Fox, në një intervistë për E!News, iu përgjigj pyetjes: “Ka shumë vajza që do ta kalojnë verën si beqare,...

Mix1 ditë më herët

Trajneri i Taylor Swift zbulon sekretin e saj si të ushtroheni si profesionist

Kur vjen puna te palestra, Taylor Swift është bishë e vërtetë. Në të vërtetë, trajneri i saj personal, Kirk Myers...

Mix1 ditë më herët

Filmin më të keq të karrierës së tij; Sylvester Stallone e ka falë Arnold Schwarzenegger!

Arnold Schwarzenegger ka zbuluar se dikur ka bindur Sylvester Stallone, të nënshkruante atë që doli të ishte një nga filmat...

Facebook