Lidhu me ne

Radar

Vizita e Enver Hoxhës në Beograd- “udhëheqësve të Kosovës iu mbeti hatri”

Ana Gjoka

Tiranë. E martë, 25 qershor 1946. Ballina e gazetës “Bashkimi” hapet me kryetitullin: Gjeneral-kolonel Enver Hoxha pritet nga Mareshali Tito dhe brohoritet nga populli i Beogradit.

Dy lajmet e tjera kryesore, të datës 23, përkatësisht 24, lidhen po ashtu me këtë vizitë. Në njërin përshkruhet “pamja e festës” që ka marrë Beogradi, në pritjen e Hoxhës. Ndërsa, në tjetrin, rrëfehet e gjatë vizita.

Shqipëria dhe Jugosllavia, apo më mirë thënë Enver Hoxha dhe Josip Broz Tito, janë në kulmin e raporteve miqësore, gati-gati vëllazërore dhe prandaj në ditën e vizitës Beogradi “kishte marrë pamjen e një dite feste të madhe kombëtare”.

“Me lule dhe pankarta në duar”, vazhdon tutje përshkrimi për pritjen nga populli i Beogradit, “ay pret me padurim arritjen e udhëheqësit të Shqipërisë së re, të cilin e do dhe e njeh si Titon e tij”.

Në Beograd, Enver Hoxha do ta merrte titullin “Hero i Popullit”, nga vetë Marshalli Josip Broz Tito.

Rrëfimi për vizitën dhe “vëllazërinë shqiptaro-jugosllave”, vazhdon. Asnjë fjalë për Kosovën. Asnjë fjalë për Kushtetutën e Jugosllavisë së janarit 1946, sipas së cilës Kosova ishte njësi autonome. Asnjë fjalë për shqiptarët e saj.

Leximi historik dhe politik i vizitës

Historiani Erald Kapri thotë se historia është e qartë në këtë rast. Vizita e Enver Hoxhës dhe raporti i tij me Titon ishte ai i vasalit dhe nuk kishte lidhje me një marrëdhënie reciproke ndërshtetërore. Madje, edhe vetë shtetin komunist shqiptar donte ta bënte pjesë të atij të Titos.

“Vizita e Enver Hoxhës ishte simbolikë e nënshtrimit të Shqipërisë ndaj Titos. Fjalimi që ai mban në Beograd ishte paralajmërim i ‘bashkimit’ të Shqipërisë me ish-Jugosllavinë”, thekson ai, për Albanian Post.

Sipas historianit Kapri, vetë natyra e vizitës nënkuptonte të gjithë hapat që do të ndërmerreshin drejt një shkrirjeje të plotë të Republikës së Shqipërisë, në një republikën e shtatë të ish-Jugosllavisë.

Mirëpo, ish-udhëheqësi i Krahinës Autonome të Kosovës, Azem Vllasi e vlerëson të natyrës miqësore vizitën dhe shton se ajo nuk ka pasur lidhje fare “as me ide për bashkim dhe as nuk ishte kërcënim për bashkim”.

Përtej kësaj, Vllasi thotë se, nga ajo që ka mësuar nga bisedat me udhëheqësit shqiptarë komunistë të kohës, ka kuptuar që ka pasur një ide “për Federatë Ballkanike” dhe se vetë nderimi dhe pritja e Hoxhës në Beograd si mik i Jugosllavisë tregojnë që raportet kanë qenë të mira.

Enver Hoxha mund t’i ketë pasur të mira raportet me Titon, të cilin e takoi në Beograd. Por, liderët shqiptarë komunistë të Kosovës nuk shkoi t’i takojë në Prishtinë. Dhe, sipas Azem Vllasit, nga ajo që i kanë rrëfyer ata dhe Fadil Hoxha një ndër ta – “Enver Hoxha nuk ka kërkuar që ta vizitojë Kosovën”.

“Udhëheqësve të atëhershme të Kosovës, ju ka mbet hatri, që Enver Hoxha e vizitoi Beogradin dhe nuk i bëri vizitë edhe Kosovës, sipas rrëfimeve të Fadil Hoxhës”, shton ai.

Për gazetarin Mentor Kikia, raportet e Shqipërisë me Kosovën vareshin krejtësisht nga Beogradi dhe nuk bëhej fjalë që Shqipëria ta ngriste çështjen e Kosovës.

“Shqipëria nuk mund të artikulonte pretendime ndaj Kosovës, për shkak të pretendimeve me Beogradin”, nënvizon Kikia.

Kosova dhe nëna e Milladin Popoviçit

Megjithëse Enver Hoxha nuk kishte bërë kërkesë për t’i takuar drejtuesit komunistë shqiptarë në Prishtinë, apo për ta vizituar Kosovën, ai i kishte kërkuar Titos që ta takonte nënën e Milladin Popoviçit – njërit nga dy themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Sipas Vllasit, që flet ekskluzivisht për Albanian Post, këtë detaj ia kanë treguar udhëheqësit shqiptarë komunistë të kohës “në Beograd është çuar prej Kosovës nëna e Milladin Popoviçit, sepse Enver Hoxha e kishte pasur mentor politik dhe mik të mirë”.

Ai më tutje sqaron se, ndonëse Popoviçi ka qenë “më korrekt” dhe ka pasur një qëndrim më të moderuar karshi Kosovës, për të cilën pranonte edhe një autonomi më të gjerë, Enver Hoxha nuk ka qenë i interesuar fare për këtë temë, si besnik i palëkundur i stalinizmit.

Rrëfimi për nënën e Milladin Popoviçit është më i gjerë, thotë Vllasi, ngaqë ajo pretendonte “se dikush nga qarqet serbe ia ka organizuar atentatin ndaj të birit”, që ishte vrarë në Prishtinë më 1945.

Për atentatin u akuzua shqiptari i quajtur Haki Taha. Mirëpo, për Vllasin “atë e ka organizuar vetë shefi famëkeq i shërbimit sekret Aleksadar Rankoviç, për shkak të qëndrimeve që Popoviç mbante karshi Kosovës”. Këtë bisedë dhe të njëjtin mendim thotë ta ketë pasur edhe vetë Fadil Hoxha.

Raporti shqiptaro-jugosllav

Partia Komuniste e Shqipërisë themelohet më 8 nëntor 1941, nën koordinimin e Miladin Popoviç, i deleguar i Josip Broz Titos. Dhe me urdhër të KOMINTER-nit. Paraprakisht, në Shqipëri vepronin tre grupe komuniste: i Shkodrës, Korçës dhe Tiranës. Sekretar i Parë i PPSH-së zgjedhet Enver Hoxha.

Lufta çlirimtare antifashiste e këtij krahu bëhet në koordinim mes Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe asaj të Jugosllavisë. Për Azem Vllasin, “raportet vëllazërore”, që janë ndërtuar gjatë asaj periudhe midis këtyre dy partive dhe që janë reflektuar në masa të gjera, “kanë mbetur shumë të mira”.

Mirëpo, raporti midis Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë zgjati vetëm deri në vitin 1948. Pas prishjes së raporteve midis Moskës dhe Beogradit, Tirana zyrtare u rreshtua me Moskën.

Vllasi rrëfen se nga bisedat me liderët komunistë shqiptarë të Kosovës ka mësuar se prishja e marrëdhënieve midis Tiranës dhe Beogradit, ka ndodhur sidomos si pasojë e pozicionimit të Titos karshi Josif Stalinit dhe jo nga ndonjë kërkesë që ka pasur Hoxha në raport me Kosovën.

Publicisti Shkëlzen Maliqi thekson se, para prishjes së marrëdhënieve, ato kanë qenë shumë të afërta dhe “më shumë se vëllazërore”, prandaj flitej për mundësinë që Shqipëria të bëhet republika e shtatë e Jugosllavisë.

“Për më shumë, mendohej edhe për zgjerimin e aleancës së vendeve komuniste në një Federatë Komuniste Ballkanike, ideator i së cilës ishte George Dimitrov, i Bullgarisë”, shton Maliqi.

Pikërisht këto raporte të mira shqiptaro-jugosllave, sipas historianit Kapri, shërbyen në nënshtrimin edhe më të madh të Kosovës. “Në vitet e para u nënshtruan dhe shuan të gjitha lëvizjet nacionaliste në Kosovë”, nënvizon ai.

Lëvizjet nacionaliste në Kosovë kanë vazhduar deri në vitin 1999, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës me ndihmën e Aleancës Veriatlantike arriti çlirimin e Kosovës dhe, më pas, në vitin 2008, Kosova shpall pavarësinë./Albaniapost

MË TEPËR

Mix1 orë më herët

“SKËNDERBEU” APO “TANA”? CILI ËSHTË FILMI I PARË SHQIPTAR?

Në vitin 1953 kinematografia shqiptare, e cila ishte në vitet e para të krijimit të saj, në bashkëpunim më kinemanë...

Letersi1 orë më herët

KJO ËSHTË POEZIA QË LASGUSH PORADECI E SHKROI KUR VUANTE NGA SËMUNDJA E RËNDË

Nga Kristaq Jorgo Para disa ditësh znj. Marie Lasgush Poradeci publikoi autografin e një poezie të Lasgush Poradecit shkruar në...

Temporal1 orë më herët

Dy llojet e liderit, sipas Henry Kissinger

Në librin e tij “Lidershipi”, diplomati i famshëm amerikan, një prej figurave më me peshë të diplomacisë amerikane dhe botërore...

Mix1 orë më herët

Shtëpia e Anne Hathaway në “The idea of ​​you” është tashmë në Airbnb (Mund të kaloni një fundjavë si në film)!

Shtëpia e Anne Hathaway (ose Solène) në “The Idea of ​​You” është në Airbnb dhe të gjithë mund ta marrin...

Mix1 orë më herët

Ky lëng frutash është sekreti i një mëngjesi plot energji!

Kemi folur disa herë për kafen, të mirat që sjell për organizmin dhe faktorët që na ndihmojnë për ta nisur...

Mix1 orë më herët

Supervlerat e dy vezëve në ditë – Çfarë i ndodh organizmit!

Veza është një ndër produktet që mbart vlera të jashtëzakonshme ushqyese renditur në listën e 10 super-ushqimeve dhe nuk ka...

Mix2 orë më herët

5 burrat më të mirë të horoskopit

Dashuria është një udhëtim i mrekullueshëm plot surpriza dhe zbulime. Shpesh e gjejmë veten duke pyetur veten se çfarë e...

Mix2 orë më herët

Xhemi Shehu poston foto me bikini e linjat perfekte, por ja pse askush s`duhet të thotë ‘Çfarë fati’

Sezonin e verës e deklarojmë të hapur! Me një foto duke bërë banjo dielli, veshur me bikini, Xhemi Shehu ka...

Mix2 orë më herët

Whoopi Goldberg i ka mbyllur punët me martesën thjesht se përton

Whoopi Goldberg ka mbaruar punë me martesën. Goldberg, 68, vjeçe, në një intervistë të fundit u pyet për tre martesat...

Kryesore2 orë më herët

Për herë të parë, Rama zbulon synimin që i ka mbetur si Kryeministër: Pjesa që do t’i vërë kapak misionit tim

Për herë të parë, Kryeministri Edi Rama ka treguar se cili është misioni i tij i mbetur në krye të...

Facebook