Lidhu me ne

Kioske

Shqipëria në vjeshtë, vendet më të bukura për t’u vizituar nga veriu në jug

Shqipëria në vjeshtë, vendet më të bukura për t’u vizituar nga veriu në jug

Fundjavat e vjeshtës janë një nga mundësitë më të mira për të udhëtuar nëpër Shqipëri. Ne po ju sugjerojmë dhjetë fshatra ku mund të shijoni vjeshtën. Sigurisht që ka edhe shumë të tjerë, por për sot po ndalemi në këtë renditje.

Ka një mori arsyesh që provojnë se vjeshta është sezoni më i bukur dhe frymëzues i vitit. Me miliona ngjyra mbresëlënëse të natyrës dhe gjethet e rëna e bëjnë atë të pëlqyeshme pothuajse nga të gjithë.

Nëse kërkoni të kaloni pushimet të qeta, relaksuese e plot të papritura, natyrisht vendin ideal do ta gjenit në një nga fshatrat më tërheqëse shqiptare, nga veriu ne jug,  të cilat i propozojmë për këta muaj të vjeshtës 2018.

Natyra, ajri i pastër, ushqimi karakteristik, shtëpitë e bukura, mikpritja dhe larmia mbresëlënëse e mjediseve të këtyre fshatrave do t’ju shoqërojnë kudo në këto fshatra anembanë Shqipërisë.

1-Vermoshi/Kelmend

Vermoshi, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve Perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës në krahinën e Kelmendit.

Bukuria e natyrës shfaqet që në Qafën e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i Lumit të Cenit.

Vermoshi ndodhet në një pllajë 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim.

Ngjitjet malore, shëtitjet apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qendrimin në bukuritë e fshatit alpin.

Fshati spikat për bulmetrat karakteristikë dhe natyrisht mikpritjen proverbiale të gjithë zonës së Kelmendit.

2-Valbona/Tropojë

Valbona, një fshat alpin që ndodhet 25 km nga Bajram Curri në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të Alpeve të Shqipërisë.

Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe, Selimaj, është qendra më e rëndësishme e banuar e luginës dhe njëherazi njëra nga pikat turistike më tërheqëse të Shqipërisë së veriut.

Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbresëlënëse, ku madhështisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri.

Bujtinat e këndshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathiapomishi, peizazhet magjepsëse alpine, uji i kthjellët i Valbonës, perëndimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpërsia e natyrës, mundësitë për ngjitje malore, udhëtimet aventureske me kanoe, shëtitjet e paharrueshme përgjatë Valbonës, burimet e mahnitshme të lumit, gjithçka e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.

3-Thethi/Shkodër

Thethi ndodhet 70 km larg Shkodrës, ku rruga kulmon në 2000 metra lartësi në Qafën e Tërthores.

Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindra turistë vendas e tëhuaj. Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve.

Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhet në 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë.

Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shëtitjeve relaksuese.

Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të vjeshtës.

4-Lini/Pogradec

Lini, një fshat i mrekullueshëm gadishullor që ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit. Rrugina të bukura, ku ngrihen shtëpi karakteristike me gurë e tulla, shtëpi që lartohen buzë ujit, oborre me pjergulla, një mjedis i mrekullueshëm, ku liqeni dhe fshati janë pjesë të pandara nga njëri-tjetri.

Bazilika e fshatit, një ngrehinë e shekullit të 7-të pas Krishtit, mozaikët e hershëm, historia qindravjeçare, kuzhina karakteristike, ku peshku zë vendin kryesor, dhe natyrisht liqeni dhe bukuritë e arkitekturës dhe rruginave janë atraksionet e veçanta të fshatit gadishullor që e bëjnë Linin një destinacion të paevitueshëm për të gjithë ata që kërkojnë relaksin dhe largimin nga e përditshmja e jetës së qytetit.

5-Voskopoja/Korçë

Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme të histories së Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçës. Fshati ngrihet mbi një pllajë në 1160 metra mbi nivelin e detit.

Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 18-ë me në popullsi prej 30,000 banorësh.

8 nga 27 kishat mesjetare të Voskopojës kanë mbetur ende në fshat: Manastiri i ShënProdhomit, Kisha e ShënKollit, Kisha e Shën Thanasit apo Kisha e ShënIlias, ku mund të admironi pikturat e mrekullueshme murale të piktorëve të famshëm korçarë si David Selenica apo vëllezërit Zografi.

Bukurive të natyrës, historisë së pasur, kishave me arkitekturën dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për të gjithë ata që duan të kalojnë pushime të veçanta larg zhurmës dhe ritmit marramendës të qytetit në këtë sezon të vjeshtës.

6 – Dardha/Korçë

Një fshat i mrekullueshëm malor që ndodhet 20 km në juglindje të Korçës e që ngrihet në 1,350 m lartësi.

Rruga tanimë e përfunduar të shpie mes shtëpive karakteristike me mure me gurë dhe rrugëve të gurta.

Bukurive arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale të interiereve të shtëpive, bukuritë e natyrës brenda e përreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, kulakrori i shijshëm i shoqëruar me rakinë e kumbullës apo me dhallën dardhare është një atraksion i paevitueshëm i identitetit të fshatit.

Në fundjavë, fshatit i rikthehet gjallëria, pasi shumë banorë të Korçës apo rrethinave, si edhe vizitorë nga Tirana apo qytete të tjera preferojnë ta kalojnë fundjavën në Dardhë.

7-Bënja/Përmet

Nëse shkoni në Përmet, qytetin e luleve, shtëpive të vjetra karakteristike dhe kishave të bukura mesjetare, natyrisht që një destinacion i paevitueshëm është Bënja, që ndodhet vetëm 3 km larg Përmetit. Shtëpitë e bukura, kisha ortodokse e shekullit të 18-ë, natyra e virgjër dhe ujërat termale e kanë kthyer Bënjën në një destinacion të mrekullueshëm turistik gjithëvjetor.

Ura e gurtë e Kaikut mbi lumin e Langaricës është një atraksion tjetër i bukur që paraprin bukurinë e të papriturave të kanioneve të Langaricës.

Bënja natyrisht që njihet edhe për ushqimet karakteristike përmetare që u japin shije ditëve tuaja të paharrueshme në këtë perlë të mirëfilltë të Përmetit.

8-Vunoi/Vlorë

6 km në jug të Dhërmiut ndodhet Vunoi, që ngrihet në një kodrinë në lartësi 176 m mbi nivelin e detit Jon. Kisha e Shën Spiridhonit, ndërtuar në fundin e shekullit të 18-ë, Kisha e Mesodhias, me pikturat murale të pas-viteve 1780, rrënojat e shtëpisë së Odhise Kasnecit, kulla e Shane Kotes dhe natyrisht plazhi i Jalës, me ujin e kristaltë, rërën dhe bimësinë e tij të larmishme, janë disa nga pikat më domethënëse të Vunoit.

Shtëpitë e gurta dhe rruginat me pllaka guri, bukuria e natyrës, pamjet e bukura detare, ullishtet dhe pemët e shumta frutore, kishat mesjetare, gjithçka e bën Vunoin një destinacion të veçantë për turistët edhe në sezonin e vjeshtës.

9– Dhërmiu/Vlorë

Dhërmiu ndodhet 42 km në jug të Vlorës dhe thuajse në të njëjtën largësi në veri të Sarandës. Fshati ngrihet në faqe të malit rreth 200 m lartësi. Pranë Dhërmiut ndodhet Shpella e Piratëve.

Fshati turistik njihet për kishat e bukura mesjetare: Manastiri i Shën Marisë, Kisha e Shën Todhrit, Kisha e Shën Mitrit me pikturat murale të shekujve të 12-ë dhe 14-ë dhe natyrisht për jetën e natës, restorantet, pabet, diskotekat.

Kuzhina karakteristike, gatimet e peshkut, hotelet e shumta, plazhet e bukura me gurishte dhe bukuritë e natyrës malore e bëjnë Dhërmiun një destinacion të veçantë për të gjitha moshat edhe në këtë periudhë të vjeshtës.

10 – Fterra/Vlorë

Fterra ndodhet 10 km në verilindje të Borshit, në krahinën e Kurveleshit. Me ndarjen e re territoriale, Fterra bën pjesë në Bashkinë e Himarës. Fshati ndodhet në lartësi 200 – 250 m mbi nivelin e detit.

Shtëpitë karakteristike ngrihen mes një peizazhi të gjelbëruar e faqesh malore. Shtëpitë e gurta mbulohen me pllaka guri, një traditë thuajse unike e fshatit e ruajtur në shekuj. Portat e tyre kanë mbulesë guri dhe rrethohen nga korniza guri. Në oborret e shtëpive rriten lule, fruta dhe perime. Ambientet shtëpiake ruajnë qilimat e prodhuara me dorë nga banoret e fshatit.

45 burimet me ujë të ftohtë, që mbajnë secili nga një emër të veçantë, si edhe shpellat e shumta janë dy nga atraksionet më mbresëlënëse të Fterrës. Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçkes, Shpella e Guvës, Shpella e Gjolekës dhe Shpella e Zanes spikasin për karakteristikat dhe përmasat e tyre të veçanta.

Nëse dëshironi të shijoni bukuritë e natyrës dhe fshatit, të zbuloni shpellat e pa eksploruara, të pini ujin e burimeve, të përhumbeni e të largoheni për disa ditë nga jeta e qytetit, Fterra është një destinacion krejt i veçantë.

MË TEPËR

Mix11 orë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix11 orë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix12 orë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix12 orë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Kryesore12 orë më herët

A don ti Edi ta luftosh Korrupsionin?

Skerdilajd Zaimi Në një intervistë – reagim të vetin mbi materialin e RAI3, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ajo...

Mix12 orë më herët

A është e shëndetshme që fëmijët të flenë me kafshët shtëpiake?

Prania e një kafshe në dhomën e gjumit të një fëmije nuk është e dëmshme për cilësinë e gjumit të...

Mix12 orë më herët

Julia Fox reflekton për lidhjen me Kanye West: Më la shije të hidhur

Julia Fox nuk e shikon me dashuri romancën e saj të shkurtër me Kanye West. Aktorja e “Uncut Gems” tha...

Kioske1 ditë më herët

Çfarë fuqie “hyjnore” paska ky Edi Rama!

Opozita thotë se “Edi Rama ka marrë çdo pushtet”. Opozita bërtet se “Rama ka ble ndërkombëtarët”. Opozita justifikohet se “Rama...

Radar1 ditë më herët

Epokës së gazit e naftës po i vjen fundi – Olaf Scholz

Mbizotërimi i lëndëve djegëse fosile në prodhimin global të energjisë po i afrohet fundit, ka pohuar kancelari gjerman Olaf Scholz,...

Kryesore1 ditë më herët

Sulmi i Ramës ndaj RAI3, Manjani: Ja pse është çakërdisur

Avokati Ylli Manjani deklaron se sulmi i kryeministrit Edi Ramës ndaj emisionit ‘Report’ në RAI3 është një histori e përsëritur,...

Facebook