Lidhu me ne

Aktualitet

Covid-i ekonomik më i rëndë për shqiptarët

Ndërsa e gjithë bota pritet të shënojë rënie ekonomike dhe recension për disa vende, raporti i BERZH nuk parashikon asgjë optimiste për Shqipërinë më 2020. Një rënie me 9 përqind, që i afrohet asaj të vitit 1997, ndërsa shpresat për rimëkëmbje vitin e ardhshëm varen tek rindërtimi

Covid-i shëndetësor na preku pak. Për këtë qeveria nuk ka ngurruar sigurisht të marrë meritat, për menaxhimin e situatës përmes masave të karantinës. Covid-i financiar rrezikon jo vetëm të na çojë në recension, siç parashikonte pak kohë më parë  nga FMN e Banka Botërore, por të na rreshtojë mes vendeve të prekur më rëndë në ekonomi.

Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar llogariste një rënie ekonomike  nga 5 deri në 6 përqind për Shqipërinë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon tablo edhe më të errët. Një rënie me minus 9 përqind, përllogaritej në raportin e botuar dje  “Perspektiva Ekonomike Rajonale në rajonet e BERZH”, që është edhe më e thella në rajon dhe në të  gjithë vendet në zhvillim pjesë e BERZH, përveç Libanit që pritet të bjerë në minus 11 përqind.

Nga vendet e rajonit, pas Shqipërisë tkurrjen më të lartë do ta ketë Mali i Zi (-8%), më pas Kosova (-5%), Bosnja dhe Hercegovina (-4.5%), ndërsa vendet që pritet ta kalojnë pak më lehtë janë Maqedonia dhe Serbia, me -3.5% secila.

Sipas raportit të BERZH “Ekonomia e Shqipërisë ka të ngjarë që të goditet fort nga epidemia për shkak të varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe eksporteve me vlerë të ulët të mallrave ndërmjetëse me destinacion industrinë e modës,  në Itali. Një reduktim i mundshëm i remitancave do të ndikojë gjithashtu negativisht në rritje. Rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave që janë marrë për të frenuar virusin dhe nga një kthim në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.

BERZH thotë se përgjysmimi i rritjes ekonomike në 2019-n erdhi si rrjedhojë e tkurrjes së prodhimit të energjisë, por dhe rënies në ndërtim, sidomos në tremujorin e katërt. Në kahun tjetër, shërbimet, veçanërisht turizmi, ishin një kontribuues i rëndësishëm i rritjes. Vendi u ndikua negativisht dhe nga tërmeti i 26 nëntorit, ku investimet ranë me 12% në tremujorin e katërt.

Edhe në raportin e publikuar të Bankës Botërore, në prill, Shqipëria pritet të preket më ndjeshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të dy krizave të njëpasnjëshme, tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë e koronavirusit, që ngrin një pjesë të madhe të ekonomisë.

Recesioni dhe masat mbështetëse ekonomike parashikohet të zgjerojnë deficitin fiskal dhe të rritin borxhin e qeverisë deri në 75.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Edhe nëse veprimtaria ekonomike mund të rinisë në fillim të verës, rritja vjetore e ekonomisë së Shqipërisë sërish do të jetë me -5 për qind, llogarit Banka Botërore.

Ndërprerjet e tregtisë dhe ngurrimi i investitorëve të huaj ndaj rrezikut pritet ta shtojnë presionin ndaj Shqipërisë. Duke pasur lidhje të ngushta me ekonominë e Italisë, vendi më i prekur në BE. Shqipëria nis drejt Italisë afro gjysmën e eksporteve kombëtare dhe në tërësi ka me vendet e BE-së rreth 95 për qind të eksporteve. Me përhapjen e recesionit në të gjithë BE-në, pritet që goditjet e jashtme ndaj Shqipërisë të jenë më të larta.

Edhe në raportin e FMN-së, vlerësohet se ekonomia shqiptare këtë vit do të jetë në recesion, duke pësuar një rënie të ekonomisë me 5%. Kjo rënie do të ishte edhe më e madhja e ekonomisë shqiptare prej 1997-s, ku u tkurr me 10 përqind, por sipas parashikimeve të BERZH po shkon drejt kësaj shifre.

Megjithatë Fondi Monetar Ndërkombëtar  vlerëson se vitin e ardhshëm ekonomia e vendit tonë do të rritet me normën 8%, duke kompensuar humbjet e këtij viti.

Por sipas ministres së Financës, Anila Denaj, qeveria shqiptare nuk parashikon recension.

Muajin e shkuar ministrja deklaronte se parashikohej një rritje ekonomike me 2 përqind.

“Nëse dalim shpejt nga kjo situatë, pse duhet të stopojmë ndërtimin e rrugëve apo procesin e rindërtimit. Në skenarin më negativ, ne kemi menduar uljen e shpenzimeve. Tregu financiar bankar është një treg jo vetëm solid por edhe likuid. Në një situatë më të jashtëzakonshme, ndërhyn Banka e Shqipërisë, por nuk do të shkojmë atje”,  do të shprehej Denaj.

BSh: Rënia më e fortë ekonomike, në dy dekadat e fundit

Por, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim që ka zhvilluar me drejtues të bankave dhe përfaqësues të bizneseve është shprehur se ekonomia shqiptare pritet të pësojë rënie të fortë ekonomike gjatë 2020-s, në përmasa të cilat nuk i kemi përjetuar gjatë dy dekadave të fundit.

Ajo do të shoqërohet me rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave dhe vështirësi financiare për bizneset e familjet. Në planin mikroekonomik, rënia e të ardhurave, pakësimi i likuiditetit dhe përkeqësimi i aftësisë paguese, do të testojnë qëndrueshmërinë financiare të bizneseve. Në planin makroekonomik, rritja e borxhit privat dhe publik do të testojë qëndrueshmërinë e ekuilibrave ekonomikë të vendit. Së fundi, goditja që ka pësuar sektori real nuk do të kalojë pa lënë gjurmë as në tregun financiar dhe as në treguesit e aktivitetit të sektorit bankar.

“Përmasat dhe kompleksiteti i krizës kërkojnë një përgjigje koherente dhe gjithëpërfshirëse”, do të shprehej  guvernatori, duke shtuar se rolin kryesor e kanë autoritetet publike.

Stimujt fiskalë, monetarë dhe financiarë, janë instrumente thelbësore për nxitjen e kërkesës agregate, për zbutjen e problemeve të likuiditetit dhe për shmangien e pasojave afatgjata të krizës.

“Dy paketat fiskale, të shpallura deri tani, ofrojnë një stimul potencial maksimal rreth nivelit 3% të PBB-së. Edhe pa marrë në konsideratë efektin negativ në të ardhurat publike, ky stimul transferon në bilancet e sektorit publik një pjesë të konsiderueshme të faturës financiare të krizës”, është shprehur Sejko, duke shtuar se Banka e Shqipërisë ka rritur dozën e stimulit monetar. Ky stimul vjen  në formën e uljes së normës bazë të interesit, tashmë në minimumin historik prej 0.5%, duke synuar nxitjen e kreditimit dhe uljen e kostos së shërbimit të kredive ekzistuese. Gjithashtu, ai ka marrë formën e heqjes së kufijve sasiorë të injektimit të likuiditetit në sistem, duke synuar furnizimin sa më të mirë të tregut bankar dhe të ekonomisë shqiptare.

“Vëllimi i likuiditetit që ne injektojmë çdo javë në sistemin financiar luhatet rreth nivelit 2% të PBB-së. Paralelisht me to, ne kemi marrë dhe masa operacionale për garantimin e furnizimit të ekonomisë me para fizike, në përgjigje të kërkesave të shtuara të saj”, ka deklaruar guvernatori, ndërsa filozofia e reagimit të Bankës së Shqipërisë , ka thënë më tej ai, është zbutja e pasojave të krizës dhe krijimi i parakushteve për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë me përfundimin e saj.

“Në zbërthim të kësaj filozofie, ne gjykojmë se ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar, si dhe minimizimi i efekteve negative të pandemisë në kapacitetet tona prodhuese, janë dy parakushte kyçe për rimëkëmbje. Për këtë arsye, objektivi i politikave tona është aplikimi i stimujve të duhur në kohën e duhur, por pa paragjykuar për asnjë moment stabilitetin monetar dhe financiar të vendit”.

Sipas Guvernatorit të BSh-së, biznesi  shqiptar përballet me një sfidë serioze ndaj së ardhmes, e cila në segmente të caktuara ka përmasa thuajse ekzistenciale. Në të njëjtën kohë, shëndeti afatgjatë i sektorit bankar – dhe nëpërmjet tij, siguria e kursimeve të qytetarëve dhe stabiliteti financiar i vendit – është i lidhur ngushtë me shëndetin e biznesit.

“Kredia e sektorit bankar për bizneset është pothuaj katërfishuar gjatë dy dekadave të fundit. Ajo përbën rreth 25% të bilancit të bankave dhe rreth 25% të PBB-së, ndërkohë që fluksi i marrëdhënieve bankë – biznes shtrihet edhe në fushën e produkteve të tjera financiare dhe të shërbimeve të pagesave”, ka thënë Sejko, ndërsa ka kërkuar nga sektori bankar një reagim largpamës për kapërcimin e krizës.

Rimëkëmbja e Shqipërisë do të varet nga lehtësimi gradual i masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Sipas raportit të BERZH, Në vitin 2021 pritet një rimëkëmbje e shpejtë e Shqipërisë, me një rritje prej 12%, më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpresa për rritje vjen me supozimin që masat për frenimin e virusit do të jenë afatshkurtra dhe rimëkëmbja nga tërmeti do t’i japë një tjetër shtysë ekonomisë.

Rritja në rajonin e BERZH

Ekonomitë në rajonet e BERZH mund të kontraktohen mesatarisht me 3.5% këtë vit, me një rimëkëmbje të mundshme prej 4.8% në vitin 2021, thuhet në raport, duke paralajmëruar se parashikimet janë subjekt i “një pasigurie të lartë”.

Kryeekonomistja e BERZH, Beata Javorcik, tha se ndërsa bota po del nga kriza është e rëndësishme të shihet drejt një të ardhme bashkëpunimi dhe një rezistence më të madhe ekonomike.

“Kriza ka qenë një goditje masive dhe dalja prej saj do të jetë po aq sfiduese. Nuk është koha për t’u angazhuar në nacionalizëm ekonomik dhe proteksionizëm, por është koha të formësohet një e ardhme më e mirë përmes angazhimit ndërkombëtar për tregtinë e lirë, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunimin ekonomik”, tha ajo.

Raporti supozon një ndikim modest të krizës në trajektoren afatgjatë të ecurinë ekonomike, me rritjen që rifillon nga fundi i tremujorit të tretë, por që potencialisht do të ketë efekte të rëndësishme ekonomike, politike dhe shoqërore afatgjata.

“Nëse distancimi social vijon të zbatohet për shumë më gjatë sesa është parashikuar, recesioni mund të jetë shumë më i thellë, dhe nivelet e prodhimit të vitit 2019 për frymë nuk do të arrihen për vitet në vazhdim”  thuhet në raport.

Meta mbi raportin e BERZH: Tregon krizën e thellë strukturore të ekonomisë tonë

Raporti i fundit i BERZH-it mbi ekonominë shqiptare, që parashikon atë si vendi me uljen më të madhe në Europë për vitin 2020, ka shkaktuar edhe reagimin e presidentit Ilir meta.

Përmes një deklarate në rrjet sociale, Meta ka cilësuar të dhënat si “shqetësuese në një plan afatshkurtër, por që tregojnë edhe krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë”.

“Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për uljen e rritjes ekonomike të Shqipërisë, janë jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë. Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik. Modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial. Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal. Ndërkohë që çdo politikë ekonomike dhe investimesh duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit si domosdoshmëri për fuqizimin e turizmit në mënyrë afatgjatë dhe me vizion”, shkruan Meta.

Raporti i BERZH, Basha: Shqipëria po e pëson më keq se çdo vend tjetër, fajtor Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas parashikimit të BERZH, që ekonomia e Shqipërisë do të tkurret me 9 % për shkak të pandemisë dhe lidhjeve të ngushta ekonomike që vendi ka me Italinë.

Basha shprehet se ekonomia shqiptare po e pëson më keq se çdo vend tjetër dhe kjo pasi Rama favorizon oligarkët dhe nuk zgjodhi të paguajë shqiptarët.

“Ekonomia jonë pritet të tkurret me 9%, më keq se në çdo vend tjetër, sepse RAMAVIRUSI zgjodhi të paguajë me paratë e shqiptarëve miqtë e tij oligarkë dhe jo njerëzit e bizneset. Prej RAMAVIRUSIT njerëzit janë sot pa punë, të varfëruar dhe pa asnjë mundësi të përballojnë krizën”, shkruan Basha në Twitter.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix20 orë më herët

7 Ide recetash me ushqime që ndihmojnë në rënien nga pesha

Këto receta të thjeshta janë opsione të shëndetshme dhe të shijshme për të shuar urinë ndërmjet vakteve. Përbërësit anti-inflamator në...

Mix20 orë më herët

Mish i huaj në hundë, shkaqet, simptomat dhe faktorët e rrezikut

Polipet nazale ( mish i huaj në hundë) janë masa beninje jo të dhimbshme që rriten në mukozën e hundës....

Mix20 orë më herët

Sa operacione cezariane mund të përballojë një grua për lindjen e fëmijëve?

Disa gra lindin në mënyrë natyrale, kurse disa gra tjera lindin me prerje Cezariane. Secila foshnje vjen në këtë botë...

Mix20 orë më herët

Studimi: Ngjitja e shkallëve do t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë

Përfitimet e ecjes për shëndetin tonë psikologjik dhe fizik janë të shumta dhe të gjithë e dimë se sa mirë është për...

Mix20 orë më herët

11 këshilla të të folurit në publik nga folësit më të mirë të TED Talks

Nuk ka asnjë dyshim: TED Talks kanë ngritur shumë lart atë që konsiderohet një prezantim i paharrueshëm dhe impresionues në...

Mix20 orë më herët

OpenAI debuton modelin “omni” GPT-4o që fuqizon ChatGPT

OpenAI ka njoftuar një model të ri gjenerues të AI, të cilin e quajtën GPT-4o – “o” qëndron për “omni”,...

Radar20 orë më herët

Kush po pret fundin e Berishës? “‘Vdiq’ baba të na lirojë krevatin”, Murrizi liston emrat

Ish deputeti Myslym Murrizi, i ftuar në “Breaking”, dha emrat e disa deputetëve të opozitës, të cilët sipas tij po...

Sport20 orë më herët

Granit Xhaka: Historia e një lojtari që refuzoi të dorëzohet

Shkruhet “Granit Xhaka”, lexohet “Talent, Këmbëngulje dhe Frymëzim”. Historia e tij meriton të shkruhet jo në artikuj, por në libra....

Mix20 orë më herët

Van Hunt poston ‘pa dashje’ fotografinë nudo të Halle Berry në nder të Ditës së Nënës

Më 12 maj, në Ditën e Nënës, këngëtari 54-vjeçar postoi ‘pa dashje’ fotografinë nudo të partneres së tij, 57-vjeçare, me...

Mix20 orë më herët

Për ty që do të kesh tatuazhe ‘sekrete’: Ja +10 ide

FOTO: GETTY | EDWARD BERTHELOT Edhe nëse trupi juaj është tashmë i mbuluar me tatuazhe nga koka te këmbët, versionet...

Facebook