Lidhu me ne

Radar

Ne dhe traditat tona / Tradita dhe kultura popullore

Mikëpritja dhe kultura - Shqiperia

Prof. Nasho Jorgaqi

Nuk e kemi kuptuar si ka ikur koha. Kanë kaluar disa orë dhe jashtë po erret. Marioja dhe Damjani do të bëjnë qindra kilometra për t’u kthyer.

Në qoftë se mund të flasim për një kulturë arbëreshe në katundet e krahinës së Katanxaros, kjo është në radhë të parë kultura popullore që gjallon këtej së lashti. Vërtet në këto anë nuk ndihet ajo valë e fuqishme zgjirai, si në krahinën e Kozencës, ku zhvillohen manifestime e aksione kulturore masive, po prapë dhe këtu zgjimi është i pranishëm. Një zgjim i ngadalshëm, pa bujë, me qëllime serioze e dëshira të mira. Dhe ajo që të prek, këto qëllime e dëshira s’jane ëndrra romantike, po është vetë jeta arbëreshe që gjallon në jetën e katundeve, janë traditat e bukura që e shoqërojnë arbëreshin nga lindja deri në vdekje. Prandaj, ai është i ndjeshëm ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me ringjalljen e bashkësisë së vet. Traditat popullore i ruan, po ndërkaq krijon dhe një kulturë të kultivuar, ashtu siç bëjnë në Kozencë e në Sicili vëllezërit e tij. Në rast se nuk botohen gazeta e revista apo s’organizohen veprimtari të gjera masive, përsëri punohet për kulturën arbëreshe dhe këtej. Pothuajse çdo katund ka grupin e këngëve e të valleve, siç është grupi «Vatra» në Shënkoll, organizohet dhe ndonjë festival i këngës arbëreshe si në Karafë. Nga kjo vatër kanë lindur poetë që kanë botuar vepra, të cilat janë bërë të njohura brenda dhe jashtë bashkësisë arbëreshe, si Xhuzepe del Gaudio, Ofelia Xhudiçisi, Karmen Abate, Matilda Ferraro e të tjerë, ka dhe studiues të zellshëm e premtues, që kanë dale me studime të vlefshme për gjuhën, folklorin, problemet sociale, si ato të K. Abates e M. Behrmanit, Karmen Xhentiles Aleksandër Kostandinos, Guido Macas e të tjerë.

Sa kohë që u gjendëm këtej, u njohëm me kulturën e kultivuar, po kjo është vetëm një pjesë e vogël, në krahasim me kulturën popullore që është krijuar nëpër shekuj. Këtë kulturë pak ose aspak e gjen nëpër libra dhe, që ta njohësh, duhet të hysh në jetën e popullit, të përjetosh nga afër realitetin e katundit.

Ç’është e vërteta, megjithëse këto ditë kemi lëvizur shumë, katund më katund, kemi hyrë e kemi dalë në shumë shtëpi, prapëseprapë po kuptojmë se brenda një kohe të shkurtër, është shumë e vështirë ta rrokësh jetën arbëreshe. Se kultura që ka krijuar populli, rrjedh e gjallon përbrenda katundit në forma e mënyra të ndryshme, të dukshme e të padukshme. Ajo është një këngë kurbeti a këngë dashurie, një ritual dasme, janë vajet, është argalia në qoshe të shtëpisë, janë vatra me mashën e çengelin varur, po janë dhe qëndismat e vashave, kërraba e bariut, janë kostumet e grave, është arkitektura e shtëpisë, peizazhi e toponimia e katundit. .. Është, pra, gjithë jeta e arbëreshit, janë këto vlera që kanë krijuar motet e shekujt dhe kjo s’kish si të mos tërhiqte vëmendjen tonë.

Poetesha Matilda Ferraro e kuptonte këtë dhe dëshirën që na vlonte përbrenda. Ajo është dhe një nga njohëset e kulturës amtare të vendlindjes, siç dëshmon dhe studimi i saj «Shënkolli i Epërm dhe traditat e tij popullore». Bisedonim për këtë një ditë dhe u hap fjala për zakonet, për folklorin, për vlerat etnografikë… Ishim në shtëpinë e Matildës dhe ajo na tregoi skedat e materialet që i kishin shërbyer për studimin. Gjithë një pasdreke e kaluam duke dëgjuar tregimet e saj për jetën zakonore të katundit.

  • Ju kuptoj fare mirë e ju jap të drejtë —, na tha Matilda kur bisedonim në shtëpinë e saj
  • Jeta dhe kutura jonë popullore nuk mund të njihen vetëm për disa ditë, vetëm me disa biseda e takime, as duke lexuar ndonjë studim të shkruar për ne. Duhet shkuar te burimi, të gjendeni para skenash e situatash, të ndjeni gazet e dertet tona. S’është faji juaj që deri tani nuk keni parë ndonjë dasmë a ndonjë vdekje, që s’keni qenë të pranishëm në ritet tona të ndryshme. Shumë- shumë ju keni kënduar e vallëzuar me ne. Po a mjafton kjo? Dikur katundi ynë, si të gjitha katundet arbëreshe, ishte i mbyllur,secili bënte jetën e vet ashtu siç dinin të parët tanë. Kurse tani katundi është i hapur ndaj botës. Jeta pak a shumë është ndërlikuar… E megjithatë Shën- kolli ka mbetur një katund bujqish dhe mërgimtarësh. Bujqish, sepse gjithë njerëzit që jetojnë këtu, janë të lidhur me tokën, me disa ullishta e vreshta të vogla, me mushkën e me ca bishta dhish, po dhe mërgimtarësh, të cilët, edhe pse s’janë këtu, në njëfarë mënyre gjenden të’ 55pranishëm, kanë familjen, prindër, gruan, fëmijët, shtëpinë, bagëtinë. Kanë dashurinë dhe mallin. Ata ikin, po katundin nuk e harrojnë. Dhe katundi s’i harron. Madje, pa ta, katundi ndoshta do të vdiste. Në një pikëpamje, Shënkollin sot e mban gjallë djersa dhe gjaku i bijve të tij në kurbet. Kjo është gjendja dhe ju e dini tanimë, prandaj s’po ju flas per këtë. Do t’ju them diçka, për sa më pyetët.

Katundi ynë është arbëresh, jo vetëm se flet arbërisht, po edhe sepse bën një jetë të vetën zakonore, që e dallon nga katundet vendase. Zakonet tona janë të lashta e origjinale, të bukura e me vlera dhe pse janë të tilla, na bëjnë të ndjehemi arbëreshë. Sikur të mos kishim këto, s’di sa të varfër do të ishim, ose, më mirë, s’do të ishim këta që jemi, do të ishim të huaj për ju.

Gjithë jetën e vet arbëreshi e ka mbushur me zakonet e të parëve. Kur them, kështu, kam parasysh momentet kryesore të jetës së njeriut. Ne kemi zakonet tona të lindjes, të martesës, të vdekjes, po dhe zakone të tjera që zbukurojnë dhe emocionojnë jetën tonë të përditshme. Kjo s’do të thotë që në këto zakone nuk përzihen dhe bestytni, paragjykime, besime fetare.

I kanë lindur kushtet, hallet e jetës, fatkeqësitë, vetmia, dheu i huaj. Katundi ynë, ashtu si dhe katundet e tjera arbëreshe, nuk e ka pasur jetën të lehtë. Mendoni që dikur një arbëreshe lindte deri në 24 fëmijë, nga të cilët            gjysma ose më pak mund të jetonte. Ishte një zakon fshatar, po dhe një nga format e ekzistencës në vend të huaj, sepse, duke u shtuar, kishte më shumë mundësi të mos humbiste e të qëndronte ai që ka qenë. Ndoshta nga kjo kishte lindur zakoni i bukur, por që me kohë ka bjerrë, që, kur lindte fëmija, hapnin menjëherë dritaren dhe e kthenin me fytyrën nga lindja, nga ana e detit, nga bie Arbëria.

Edhe në Shënkoll lindja e djalit ka qenë dhe është festë për çdo familje arbëreshe. Sapo dilte në dritë ai, e përshëndetnin me tri të shtëna arme. Po dhe lindja e vajzës sillte pëzim, sepse edhe per të njoftonin katundin me dy të shtëna. Duket e çuditshme, po arbëreshi kështu  komunikonte, me armë, pastaj thoshte urimin e parë: «Të rritet me shëndet!» Dhurata karakteristike që sillnin në këtë gëzim ishte një pëllumb, tok me ca ëmbëlsira shtëpie. Po më pas rritja e foshnjës kishte telashe e vështirësi. Ç’mund të bënte një nënë kur i sëmurej fëmija? Domosdo tek ajo do të lindnin ‘bestytnitë e paragjykimet, do të kërkonte ngushëllim te feja. Mendonte dhe shpresonte se me anë të tyre do ta mbronte fëmijën.

Një pjesë e bestytnive dhe e paragjykimeve janë zhdukur, po prapë ekzistojnë dhe sot. Kështu. nënat e dhembshura i mbledhin rrobat e nderura të fëmijëve para se të ngryset, ndryshe, kujtojnë ato, fëmijën e kërcënon fatkeqësia. Gjyshja ime derisa u bëra dy vjeçe, nuk më linte të shihesha në pasqyrë, sepse kishte frikë mos më vinte goja me vonesë.

Fëmijëria jonë mund të kuptohet vetëm brenda “kufijve të katundit, me vende që mbajnë emra arbëreshë: Çukëza, Fusha, Lumi i Thatë, Frashëri, Kroi i Shpellëzit, Bithkroi’, Kriqi, Nepër to luhen lodra arbëreshe, loja më e përhapur është «të fshehurit», ajo që te ju quhet <<symby- llurazi». Luajmë dhe lojën e strumbullarit ose të fugës, pastaj atë me gurë të vegjël që i themi fojet ose guraçok. Po loja më e vjetër është ajo e kambanës.

Ju e keni parë se në të dyja anët e katundit tonë zbresin hone të thella dhe pikërisht në këto vende, në ajër të pastër, në mes luleve e blerimit në pranverë, dalin e shëtitin fëmijët, luajnë, rendin pas zogjve e fluturave. Po jo rrallë ngjiten dhe në majën e Picutës e në malin e Shën-Mikelit. Këto janë çaste të një hareje të madhe, jo vetëm se para fëmijës shtrihen hapësira të pamata, po dhe se ai për herë të parë bën përpjekje të shohë detin dhe të shpresojë se mos shquan vendin e stërgjyshërve. Sa herë e kemi bërë këtë, kur ishim të vogla, tok me shoqet, dhe sa herë jemi zhgënjyer! Sytë tanë të vegjël e të pamësuar nuk i kapnin dot konturet e mjegullta dhe, kur na dukej se diçka kishim dalluar, zemrat tona të vogla kërcenin nga gëzimi. S’ka brez fëmijësh të katundit tonë që të mos jetë ngjitur nëpër këto maja për të parë nga deti, përtej mjegullës..

Traditat tona janë të mbushura plot me zakone e rite, një pjesë e të cilave, do të thosha, janë pagane. Kështu, në mendjen dhe fantazinë e pogullit rrojnë zanat.’ Me to janë thurur legjenda që mund t’i dëgjosh dhe sot. Po shumë nga zakonet tona s’kanë të bëjnë me fantazinë.

Ato kanë lindur e janë ruajtur në kushtet e qëndresës. Deri vonë mbahej notermati ose vëllazëria, një rit mjaft kuptimplotë për të treguar pozitën tone këtu: mblidheshin të gjithë arbëreshët e katundit dhe jepnin besën se do të mbronin njëri-tjetrin në dhe të huaj dhe në çdo rast që do të kishte mundësi, do të shkonin të çlironin atdheun e të parëve nga <<kjeni turk>>.

Për besën këndohet e, vallëzohet. Ju e keni pare vetë që dhe fëmijët e dinë këngën e Kostandinit e të Doruntinës. Në, katund kemi një variant tonin, me të cilin jemi mëkuar që për së vogli. Sepse gjithmonë ia kemi pasur nevojën besës. Besë i jepej prindit, gruas e burrit, vëllait, besë në një kuptim të gjerë i jepej gjitonisë, katundit, gjakut të shprishur. Me fjalë të tjera besa ishte vendosmëria jonë për të mos i këputur lidhet shpirtërore të bashkis.

Botën arbëreshe e mban gjallë jo vetëm gjuha, po dhe folklori. Këtë po e provoni, më duket, në Shënkoll. Ne këndojmë, qajmë e tregojmë arbërisht. Folklori ynë, edhe pse ka bjerrë gjatë moteve, prapë diçka ka mbetur dhe ështe pasuri jona. Ne kemi këngë e valle, vaje e përralla, proverba e gjëza, urime e mallkime, të cilat në jetën e përditshme na bëjnë të ndiehemi më mirë se kush jemi. Sigurisht, do ta idealizoja gjendjen, po të thosha se folklori rron te të gjithë. Jo, atë e ruajnë zakonisht pleqtë dhe falë atyre ai mbahet gjallë dhe u përcillet në një mënyrë a një tjetër brezave.

Këngët epike, bie fjala nuk i kemi më, kanë bjerrë. S’kemi, për fat të keq asnjë këngë për Skëndërbeun. Mundet t’i kenë kënduar heroit për një kohë e pastaj kanë pushuar. S’ka qenë gjë e vogël t’i këndoje historisë, qoftë dhe asaj tëndes në këto male, ku kërcënoheshe nga rreziku i zhdukjes. E megjithatë ka ndonië këngë si ajo që bën fjalë për «kjemn turk», që është kënduar deri në fillim të këtij shekulli.

Po në qoftë se ka humbur epika, ka mbetur lirika, këndohen ende këngët e djepit e të dashurisë, të dasmës e të vaiit. Me sa duket ato kanë qëndruar se kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me jetën. Arbëreshi donte të gëzohej e të hidhërohej, të qeshte e të qante në mënyrën e tij, ndryshe nga vendasit. Sepse këngët tona janë origiinale, thjesht arbëreshe.

Nuk e di, po besoj se do t’ju kenë pëlqyer këngët e dashurisë e të dasmës që keni dëgjuar, madje dhe nga të rinjtë. Djali i drejtohet vashës me fjalë të sinqerta, e quan zemër, lule, yll i bukur. Ai e përfytyron nusen e tij «të bardhë si një qiri», «të kuqe si një mollë», qorton prindërit e vashës që tregohen zemërgurë dhe është gati ta marrë atë dhe pa pajë.

Shumë të bukura i kemi këngët e dasmës. Duhet të shihni një dasmë arbëreshe që të më besoni. Është një ritual i tërë që shoqëron nusen e dhëndrin. gjatë gëzimit te tyre. I këndohet, bie fjala, nuses e dhëndrit:

Nuk del ylli, të mos dalë,

Se na kemi kush të na dalë.

Nuk bën dritë, të mos na bëjë,

Se ne kemi kush na bëjë.

Dhëndri është si kristali,

Nusja zonjë, si borë mali

(Variant i përshtatur)

Po ka një varg këngësh të tjera, të cilat lidhen me momentet dhe zakonet e dasmës, që shpesh ndryshojnë nga një katund në tjetrin.

Më shumë se në gëzime, ne ndiejmë nevojë të shprehemi në gjuhën tonë kur vajtojmë. Vdekja, fatkeqësisht, ka krijuar vaje tronditëse, që vetëm një poet i vërtetë mund t’i thurë. Dëgjoni një prej tyre kushtuar një vajze të vdekur:

Ngrihet dielli e ti nuk qesh më,

Se natia e zezë ra te dhoma jote,

Oj bija jonë!

Ti shpresa jonë, thesari jonë, bijë!

Dhe se të thërrasim natë e ditë,

Ti nuk na përgjigjesh si njëherë, pse je te varri,

Ti, shpresa jonë, kurora jonë, bijë!

Ç’natë e zezë u nde te zemra jonë

Sa perëndove ti oj ylli jonë, ti, bija jonë,

Ti, drita jonë, ti, dielli jonë. Bijë!

Kjo është një perlë e folklorit të katundit. A nuk kemi të drejtë të mburremi?

Sa për vallet, nuk jemi të pasur si me këngët. Ndoshta e vetmja valle që mbahet si e mirëfilltë është “ngjoca”.

Arbëreshi jo vetëm në jetën zakonore, po dhe në sfera të jetës shpirtërore e psikologjike ka shprehur koneceptet e veta; filozofinë e moralin e tij. Dëgjon proverbat, urimet e mallkimet, përrallat e anekdotat dhe do të vëresh natyrën dhe karakterin e tij burrëror, të qëndrueshëm, realist, guximtar. Në katundin tonë qarkullojnë bie fjala, shumë proverba që zbulojnë këto që po ju them. Do të dëgjosh: ngroh atë që sheh», «Ç’bën e pëson»; «Gruaja e mirë bën burrin të mirë» «Kush më shan, shtrenjt më blen»; «Gjarpri do goditur te kryet»; «Prilli bëri lulet, maji ka nderin»; «Bukë e liri te shtëpia jote» etj. Këto janë vetëm disa; po sa të tjera jetojnë në katundet dhe janë pjesë e të menduarit dhe e jetës sonë shpirtërore.

Të kallzuarit është në natyrën e bashkëfshatarëve tanë. Ne nuk rrimë dot pa rrëfyer, pa kallëzuar ngjarje, histori, situata, qofshin. këto serioze ose komike. I tregojmë drejtpërdrejt, po dhe përmes figurave, simboleve ose alegorisë. Po t’i njihni përrallat tona, do ta çmoni këtë pasuri. Dhe ne kemi plot, po nuk janë mbledhur të gjitha. Një punë shumë të mirë bëri poeti Lluka Perone, që erdhi nga Ejanina e Kozencës dhe regjistroi disa prej tyre. Diçka kam mbledhur dhe unë. Në qoftë se nuk vilen shpejt, ato rrezikohen të zhduken.

Sa për emrat, nuk mund të mburremi si arbëreshë. Kanë mjaft ngjashmëri me ato të vendasve, Për këtë. sigurisht ka ndikuar dhe feja, kleri,       dhe s’ka qenë e lehtë  të rezistojë. Ne sollëm nga Arbëria fenë tonë dhe u përpoqëm ta ruajmë atë. Pas dy shekujsh qëndrese na detyruan të ndërronim fenë, nga ortodoksë, në katolikë. Dhe kjo na kushtoi. Emrat tanë sot janë: Anton, Mikel, Nikollë, Françesk, Vinçens, Andrea, Salvador, Marie, Katerina, Xhuzepina; Anxhela e të tjerë. Ndryshe ka qenë fati i mbiemrave, sepse mbiemri lidhej më shumë me origjinën. Prandaj ruhen dhe sot mbiemra shqiptarë si Mustaçia, Toçi, Livani, Bafa etj. Ç’t’ju them tjetër? Sigurisht ka dhe vlera të tjera të traditës sonë në katund, vlerat materiale, fjala vjen, si argalia, që e gjen gati në çdo shtëpi të vjetër, sepse ajo ka veshur e mbathur arbëreshët, janë pastaj kostumet tona, për të cilat mund t’ju flasë Konçeta, që është dhe etnografe. Ne gëzohemi dhe bëhemi edhe më të ndërgjegjshëm për vlerat tona, kur shohim që ju nga Shqipëria vini e interesoheni, i mblidhni e i studioni. Ato janë pjesë e kulturës sonë të përbashkët, janë historia jonë. Po arbëreshi, si realist që është, vlerat e veta do t’i ‘ketë, në radhë të parë, në jetën e tij të përditshme e pastaj në histori. Po jeta e përditshme është e hapur dhe e kërcënuar nga rreziqet që ju i dini. Atëherë, ç’bëhet me këto vlera? Një pjesë janë bjerrë, sepse arbëreshi nuk është i prapambetur, ai ecën me kohën siç ka ecur gjithnjë. Po ai s’është indiferent ndaj traditës së vet të bukur, e cila ka vendin e vet te merituar, edhe kur jeta sjell ndryshime dhe elemente të reja. S’di ç’të them tjetër! Këto janë probleme me të cilat po merret sot gjithë bota arbëreshe, sidomos intelektualët.

Bisedën tonë për kostumet e arbëreshëve të këtyre anëve nuk e bëmë me Matildën. Nuk ishte nevoja kur njihnim Konçeta Maxein, piktore dhe etnografe. Shkuam dhe e takuam, në Karafë, matanë Katanxaros, një katund që flet edhe sot arbërisht dhe ruan zakonet e veta. Na priti në shtëpi në studion e vet; na njohu me prindët, me vëllezërit e pastaj na tregoi veprat e veta, varur nëpër mure. Ishin punime të bukura, pamje të katundit, shtëpi karakteristike; portrete arbëreshësh, kostume, disa në akuarel, të tjera në vaj e në tush, të gjitha të punuara me shije të hollë e me ngjyra e teknikë interesante. Veçanërisht binte në sy prirja e Konçetës për të kapur e për të fiksuar aspekte të ndryshme të jetës së katundit arbëresh.

  • Tamam për këtë kemi ardhur, të na flasësh për kostumet tuaja, — i themi kur ajo, bashkë me nënën, nxjerr nga sepeti një kostum të vjetër dhe na e vë përpara. Është vërtet një kënaqësi e veçantë të soditësh një kostum arbëresh, që farfurin nga ngjyrat dhe lëshon aroma të një kohe të shkuar.
  • Ky është thesari që na e ka lënë gjyshja, — tregon Konçeta, ndërsa sytë i shkëlqejnë nga emocioni. — Një kostum shumë i vjetër, siç e shihni, mundet të jetë i vitit 1824. Në disa vende koha e gjatë e ka dëmtuar, prandaj e mbajmë me kujdes. Them një të vërtetë në qoftë se pohoj që edhe kostumet tona kanë dhe ato tharmin arbëresh. Ja, vërejeni mirë këtë që keni përpara. A nuk zbulon konceptet tona estetike, shijen, motivet e jetës arbëreshe! Kostumi është pjesë e identitetit tonë dhe ka një pavarësi shprehëse të mirëfilltë. Edhe pse jetojmë në simbiozë me kulturën popullore kalabreze, veshjet arbëreshe të katundeve të Katanxaros nuk i kanë braktisur karakteristikat origjinale. Vërtet kanë edhe ndikime vendase, po ato prapë ruajnë tipare origjinale, mbajnë po atë numër pjesësh përbërëse dhe të njëjtin emërtim.

Nga kostumet tona që i kanë qëndruar plotësisht kohës, janë ato të grave. Ja, vëreni këtë që keni përpara, ç’ngjyra e gjallëri kromatike ka, vreni motivet e zbukurimet tipike shqiptare, elegancën e shijen e hollë të prerjes e të qëndisjes! Edhe pse pësojnë ndryshime nga një katund në tjetrin, ato duket që kanë tonat.

Siç e shihni veshja e grave zakonisht përbëhet nga këmisha, jeleku, fundi, keza dhe përparëza.

Besoj se s’mërziteni po t’jua përshkruaj një nga një me radhë: Ja, këmisha është prej liri, në ngjyrë të bardhë, me mëngë të gjata e të gjera të qëndisura hollë. Mbi këmishë vishet jeleku që është pa mëngë e që në arbërisht i themi xhipun. Xhipuni qëndron i ngushtë në trup dhe është i qëndisur i tëri me ar. Zbukurimet janë kryesisht motive floreale, të shprehura me      aq delikatesë, sa të mahnitin. Nën xhipun vjen jundi ose coha, siç i themi ne, prej mëndafshi e prej sateni të rëndë me prerje e ngjyra të ndryshme. Në pjesën e poshtme të fundit vjen rrotull një brez i qëndisur në harmoni për xhipunin e hezën kurse në bel gratë tona lidhin perparësen, që ne e quajmë handallaqe dhe që ka ngjyrën e fundit.

Veshjen grarishte te ne e zbukuron dhe keza, një lloj kapelëze a (kësulë prej mëndafshi e kadifeje, e qëndisur edhe kjo me ar. Ka formën e një zarfi, me anë të ngritura, ndërsa sipër saj lidhet një riz i hollë i bardhë.Veshja e kezës ka rëndësi sepse shënon kalimin nga vashëria në jetën e gruas dhe shoqërohet me një ritual të bukur.

Kostumi arbëresh nuk mund të kuptohet pa stolitë e ndryshme si vathët e florinjtë që iquajnë çarçela, gjerdanin apo hjanaken, zinxhirët me madhësi e gjatësi të ndryshme.

Kostumet tradicionale tani i mbajnë zakonisht plakat dhe disa gra në raste festash. Po vitet e fundit lëvizja artistike në katundet tona ka bërë që t’i veshin edhe vajzat e reja, sidomos nëpër festivale. Shumë nga plakat e katundit kur vdesin, duan të varrosen me kostume tradicionale.

Ndryshe qëndron puna me veshjen tradicionale të burrave. Për fat të keq kostumi i tyre është në zhdukje e sipër dhe pothuaj nuk përdoret fare. Përshkrime të hollësishme kemi për të nga udhëtarë prej shekullit XVIII. Por gjendet edhe ndonjë në katund.

Kostumi i burrave përbëhet nga tirqit, ae arrijnë deri në gju e që janë prej leshi, në ngjyrë të zezë a gështenjë. Pastaj vjen xhaketa që ne i themi shembrejine, pak e shkurtër dhe në ngjyrën e tirqeve. Nën xhaketë veshin këmishë të bardhë, me jakë të vogël. Në veshjen e burrave hyn dhe kësula në trajtë konike me cepa të fortë, rripi prej lëkure, i stolisur me lajlime estetike, si i vetmi element zbukurues. Interesante janë dhe këpucët e tyre, që në fillim ishin prej druri me majucë përpjetë. Këto janë të rralla, sepse më vonë u zëvendësuan me opinga, që ne i quajmë kalandra. Këto janë prej lëkure dhie, të lidhura pas këmbëve me gjalma, po prej lëkure.

Sot vetëm tirqit dhe çorapet e trasha prej leshi vishen ende nga barinjtë. Mund t’ju thosha dhe diçka tjetër, që më duket me shumë interes dhe që vlen të studiohet nga etnografia. Nga dëshmitë të botuara të udhëtarëve të huaj, që kanë kaluar nëpër katundet tona, marrim vesh se deri në fillim të shekullit XIX në Karafë e në Vena burrat arbëreshë vishnin fustanellë, kostumin tipik shqipar. Për fat të keq, në ditët tona fustanella jo vetëm nuk ekziston, po s’kemi as gjurmë e as kujtime…

Gjithë sa na tregoi Konçeta për kostumet arbëreshe, ishte vetëm fillimi i njohurive e i përshtypjeve tona për to. Disa ditë më vonë shkuam në Ejaninë, një katund tjetër, po kësaj here në krahinën e Kozencës, dhe atje pamë një ekspozitë etnografike me kostume gjitharbëreshe.

Ishin të çuditeshme e tepër prekëse takimet vetëm për vetëm, me njerëz të veçantë. Ato mund të ndodhnin në rrethana nga më të papriturat. Mund të kalojë nëpër një rrugicë të shkretë dhe para syve të të fanepsej një plakë, ajo të dilte përpara, të përqafonte e pastaj të merrte për dore ë të fuste në shtëpi. Ngjiteshe ose zbrisje nëpër një monopat, dëgjoje zilet e dhive e pastaj shihje të zotin e tyre që të fliste arbërisht i mallëngjyer. Mund të ecje në rrugën e madhe e të ndalonte makina. Arbëreshi e kishte për nder të zbriste e të të takonte. Ftesat per t’i vizituar nëpër shtëpi e katunde bënë aq të shumta, sa ne filluam të zgjedhim. U detyruam t’ju japim përparësi ftesave kolektive. Ato vinin nga katundet, nga shoqëri artistike, nga grupe shokësh, nga shkolla… Tani e kishim më të lehtë dhe ftesa, e parë që iu përgjigjëm menjëherë, ishte ajo e fëmijëve të shkollës së Shënkollit.

Me fëmijët ishim njohur para se të na ftonin. Ata i ndeshnim e i takonim çdo dite, sidomos ne rrugë, kur shkonin për në shkoilë. Na dilnin përpara, në fillim të turpshëm, e pastaj na përshëndetnin. Shpejt u miqësuam me ta dhe shpesh gjendeshim të rrethuar prej tyre. Veç t’i shikoje ato fytyra të ngazëllyera nga gazi, po dhe nga çudia e njohjes ! S’mjaftonte që na jepnin dorën, po qejfi ua ‘kishte të na preknin nëpër trup dhe me gjysmë zëri të na bënin të flisnim, në mënyrë  që të dëgjonin tek shqiptonini gjuhën e mëmës sonë të përbashkët. Në jetën e tyre takimi me ne ishte një ngjarje jo e zakonshme, ishte dhe kureshtje, dhe nderim, dhe dëshirë ë shumëpritur.

Më në fund, një mesditë, shkuam në shkollën e Shën- kollit. !Na pritën drejtori dhe grupi i mësuesve, një pjesë e të cilëve ishin arbëreshë. Klasat zienin nga zhurma gazmore. Dëgjohej muzikë, zëra që këndonin arbërisht. Gjithë shkolla ishte në festë.

Na presin në një sallë të madhe ku janë mbledhur nxënës të klasave të ndryshme. Shkolla është si tetëvjeçarja jonë, gjysmë-gjimnaz ose gjimnaz i ulët. Të gjithë fëmijët janë ar’bëreshë, po mësimet bëhen në gjuhë italiane.

Sa hyjmë në sallë, fëmijët ngrihen në këmbë, dhe duke duartrokitur, brohorasin diçka arbërisht. Është një thirrje gëzimi që vështirë se shprehet me fjalë. Ata janë të prekur siç jemi të prekur edhe ne.

Këtë e vëmë re më mirë kur zëmë vend në një tavolinë përballë tyre. Fëmijët kudo janë të bukur, por ata arbëreshë të vegjël atë ditë na dukeshin nga më të bukurit. Nuk e di, ç’i bënte ato fytyra aq të hijshme, sytë e ndezur, balli i qeshur, buzët kureshtare. Kishin një vështrim krenar, sidomos djemtë, Gjithë pamja e tyre fliste me ne dhe ne ndienim se ishim nën pushtetin e tyre..

Pasi na paraqiti drejtori i shkollës dhe përshëndetëm edhe ne, vendosëm bashkërisht të zhvillonim një bisedë në formë pyetjesh e përgjigjesh. Filluam menjëherë. Për fëmijët s’kishte më kohë për të pritur. Ata pyesnin lirisht. Kur pyetja ishte e thjeshtë, e thoshin arbërisht, kurse për ndonjë problem të ndërlikuar e kthenin në italisht.

Ç’është e vërteta, nuk mendonim se do të na bënin aq pyetje e aq më tepër për çështje që nuk na kishte shkuar mendja. Na vinte mirë që rrethi i dëshirave dhe i interesave të tyre ishte i gjerë, por u trishtuam kur vumë re se ata dinin pak për Shqipërinë, madje ndonjëherë dhe të shtrembra.

Si do t’ia shpjegonim në një takim gjithë sa kërkonin prej nesh?

Ne e dinim se librat e shkollës, veçanërisht ato të gjeografisë e të historisë, u jepnin një përfytyrim të rremë e tendencioz për Shqipërinë. Nga sa dilte prej pyetjeve të tyre, Shqipëria dukej sikur nuk ishte një vend matanë Adriatikut po në Amerikën ‘Latine ose në afërsi të brigjeve të Australisë. Ata që i kishin shkruar librat, u thoshin fëmijëve arbëreshë se Shqipëria ishte një vend i varfër, me një bujqësi të prapambetur, me industri simbolike, me komunikadon të dobët. Ne e ndienim se zemrat e këtyre fëmijëve ishin të lënduara.  Ndoshta, ata s’donin të besonin, po libri kështu shkruan, kështu thotë dhe mësuesi, kështu shkruajnë dhe gazetat e revistat, keshtu flet dhe televizioni. Atëherë ç’të bëjë ai përpara kësaj mjegulle që i vesh përfytyrimin për atdheun e stërgjyshërve? Shqipëria në ndërgjegjen e tij është një legjendë heroike, e bukur e plot ngjyra. Ajo ka lindur nga rrëfimet e të mëdhenjve, nga këngët e vallet, nga gjithë sa ka dëgjuar në shtëpi, në gjitoni e në katund.

Por vjen një ditë që ai merr liibrin e shkollës në dorë, dëgjon t’i flasë mësuesi; në përfytyrimin e tij për Shqipëri në hyn autoriteti i shkencës e i shkollës. Ç’të bëjë ai fëmijë, që nuk di nga djallëzitë e ‘botës, të besojë a të mos besojë dhe kujt t’i besojë?

Në shpirtin e çiltër të tij hyn padashur dyshimi. Ndodh një farë drame. E vërteta dhe gënjeshtra ndeshen me njëra- tjetrën. Zgjohen dëshira fisnike, që ngjallin sedrën e krenarisë e origjinës. Fillon atëherë të arsyetojë, pyet prindërit, bisedon me shokë. Përpiqet me çdo mënyrë të mbajë pastër nga hijet figurën e atdheut të parë.

Nis biseda. Pyetja e parë është qortuese, ka të bëjë me librin e gjeografisë. Mësuesit bien në pozitë pak të vështirë, por dhe ata e kuptojnë marrëzinë e autorëve. Detyrohen t’i sqarojnë nxënësit përpara nesh. Jepet kështu një përgjigje e përbashkët, nga ne dhe arbëreshët, por dhe nga vetë mësuesit italianë. Shqipëria, pra, nuk është një vend i prapambetur. Ajo është… dhe sytë e fëmijëve shkëlqejnë, duart përplasen nga një gëzim i papërmbajtur. E vërteta triumfon mbi gënjeshtrën!

Një pyetje prej të rrituri e prej fëmije dëgjohet papritur në sallë: A ka pronë private në Shqipëri? A mund të ketë njeriu shtëpi të tij? Po tokë? Po bagëti? Po makinë? Si qeveriset proma e të gjithëve? Hajde, përgjigju fëmijëve qartë  dhe shkurt për gjithë këto pyetje që bëjnë. Vetëm arbërisht është e vështirë, prandaj përgjigjemi shumë herë në italisht. Fëmijët dëgjojnë me vëmendje, me një seriozitet që s’u shkon për moshën.

Pyetjet vazhdojnë, dhe ato janë nga më të ndryshmet e më të çuditshmet: Tek ju s’ka asnjë të varfër? Po të pasurit iku kanë shikuar? Si janë shkollat te ju, në çfarë forme? A paguajnë iaksa nxënësit për të ndjekur shikollën ? Po bursa ka? Po në qytetet e vogla, ku luajnë fëmijët? Si e kalojnë kohën e lirë ? Ciiat janë lodrat? Po jashtë shtëpisë a mund të rrimë në çdo kohë?

Pyetjet nxjerrin pyetje të tjera, lindin ddskutime, bëhen komente e kalohet nga një fushë te tjetra. Pse jeni zemëruar me BS? Pse nuk e doni Amerikën? Mendoni se udhëheqësit sovjetikë janë komunistë të rremë? Kemi dëgjuar se te ju ka ‘këneta, si e bëni me malarjen? Kur njerëzit: s’kanë punë, në çfarë vendesh shkojnë për të punuar?

Mendjen ua trazon një pyetje që përzihej edhe me habi edhe me një ‘krenari të fshehur. Kjo kishte të bënte me atë që kishin lexuar sa e sa herë në librin e gjeografisë: «Shqipëria është i vetmi vend ateist në botë.» Asnjë nuk beson te ju? Po priftërinjtë ç’i keni bërë? Po kishat? Mirë kishat e vjetra i ruani, po të rejat?

Pamja e tyre donte të thoshte se nëse shqiptarët e kanë hequr fenë ligjëriaht, me siguri kanë pasur arsye të forta. Njeriu bën si i shkon mirë në shtëpinë e vet. Pse të besojë në fe, kur mund të besojë në forcat e veta, në punën e tij, në idealin e përparimrt e të arsyes së shëndoshë! Mundet që jo të gjitha këto t’i kuptojnë e t’i arsyetojnë këta fëmijë, po arbëreshëve të vegjël u pëlqen guximi dhe pavarësia shqiptare dhe kjo ‘ka një domethënie të madhe.

Djemtë e vajzat e shkollës nuk’ donin të dinin vetëm për atdheun e të parëve, po dhe mendimin tonë për arbëreshët e jetën e tyre. Ç’mund të na thoni për ne që jetojmë në Itali? Si ju duket gjuha jonë? Po këngët e vallet? Po zakonet, a ngjajnë me ato tuajat? A ndiheni mirë te ne?

Pyetjeve të fëmijëve u përgjigjemi po me pyetje, me fjalë që na dalin nga zemra: E si mund ta ndiejë veten njeriu në shtëpi të vet? Po juve si ndieni kur shkoni te vëllai a te motra! Te tata i tatës që ndodhet larg?

Brohoritje të fuqishme! Hovin përpjetë nga gëzimi. Fëmijët tani na kanë ardhur pranë tavolinës. Na shikojnë nga afër, na prekin, na zgjatin duart e njoma.

Të rrethuar pastaj prej tyre, dalim në koridorin e madh të shkollës ku dëgjojmë një koncert. Djemtë dhe vajzat vallëzojnë e këndojnë arbërisht, veshur me kostume karakteristike. Këndojnë dhe ndonjë këngë shqiptare. Na marrin dhe ne në valle e kërcejmë së toku.

Para se të ndahemi, për një çast bëhet heshtje. Nuk po kuptonim se ç’po ndodhte. Nga mesi i fëmijëve dalin dy vajza që mbanin në duar nga një kulaç të madh. Është kulaçi i katundit, me të cilin gostiten e nderohen miqtë e dashur. Vajzat përkulen përpara nesh dhe na i lënë në duar. Kulaçi është i zbukuruar me motive arbëreshe, i gatuar me një brumë të vecantë e me mjaltë. Gjithë kjo ceremoni e vogël i ngjante një riti që të prekte, sepse kishte diçka simbolike në këtë mes: brezat e rinj arbëreshë na shfaqnin kështu jo vetëm dashurinë e respektin, po dhe besën e tyre se do të mbeten arbëreshë. Vështrimi më mbeti për një kohë në kokën e shqiponjës, të stolisur në kulaçin e pjekur.

Në ka emër burri që i lidh e i bashkon arbëreshët, ky është emri i Skëndebeut. Ai jeton i gjallë në kujtesën arbëreshe, në legjendat e ritet, në këngët e vallet. Ai është në çdo zemër në çdo shtëpi. S’ka katund axbëresh, një rrugë a një shesh të cilit të mos mbajë emrin e Heroit.

Por arbëreshit s’i mjafton vetëm emri, vetëm kujtimi. Të kishte mundesi që çdo katund t’i ngrinte një monument, po kjo është shumë, tej mundësive të një katundi. Atëherë kënaqet me bustin e Heroit, me kokën e tij krenare, me vështrimin e tij prej shqiponje, me gjoksin e fuqishëm.

MË TEPËR

Kryesore14 orë më herët

Shkatërrim në masë/ Qeveria pranon zyrtarisht se taksimi do të mbyllë gjysmën e profesioneve të lira

Klodian Tomorri Kur paraqiti projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024 në Parlament, Ministria e Financave programonte se taksimi i...

Radar14 orë më herët

Në vend të japë llogari për 3 mandate, Rama merr në pyetjet Fevziun e Mark Markun

nga Anta Muçaku E ju prisni media e gazetari cilësore! Si mund të kemi gazetari cilësore kur Dekanin e Fakultetit...

Mix14 orë më herët

3 Ushqimet më të mira për shëndetin e dhëmbëve

Ushqimet luajnë një rol kyç në shëndetin e dhëmbëve dhe për buzëqeshjen. Larja dhe pastrimi në imtësi i dhëmbëve, por...

Mix14 orë më herët

Valbona Selimllari: E shoh shpesh videon kur u shpalla Miss, nuk më pëlqen

Valbona Selimllari ka treguar me shumë për jetën dhe karrierën e saj. Teksa ishte e ftuar ditën e sotme në...

Mix14 orë më herët

Shenjat e hershme (përveç testit) që tregojnë se jeni shtatzënë

FOTO: GETTY IMAGES Kur mendoni për shenjat dhe simptomat e shtatzënisë, ato klasike që të vijnë në mendje janë shpesh...

Mix14 orë më herët

Penelope Cruz (50 vjeç) tregon sekretin e bukurisë

GETTY IMAGES Ky vit i është dedikuar me gjithë dashurinë dhe fuqinë grave të Hollywood që janë mbi të 50-tat...

Mix14 orë më herët

Disa emra të shkurtër për bebushat, frymëzuar nga VIP-at shqiptarë

Emrat e shkurtër janë gjithnjë e më në modë. VIP-at shqiptarë nuk u kanë rezistuar trendit me emrat që memorizohen...

Mix14 orë më herët

Brad Pitt zbuloi tre “super filmat” që nuk donte t`i bënte: E urreja të punoja aty!

Brad Pitt ka zbuluar se në cilët filma e ka urryer të punonte, edhe pse ato rezultuan ne fakt, nje...

Mix14 orë më herët

Zayn Malik tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg metropolit!

Artisti, i cili transformoi botën e muzikës pop, tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg...

Mix15 orë më herët

Një nga femrat më të bukura në botë, Emily Ratajkowski pa fat në dashuri!

Emily Ratajkowski tërhoqi të gjithë vëmendjen në një event bamirësie në Nju Jork. Modelja ktheu kokën me një fustan me...

Facebook