Lidhu me ne

Temporal

Pse njerëzit e besojnë horoskopin?

A e dini pse disa njerëz kanë tendencën për të besuar te horoskopi? Një shpjegim psikologjik se përse disa gjëra të mjegullta, ngjisin kaq shumë dhe në politikë
Nga Enton Palushi-Mapo.al
Të ndash gazetarinë nga trilleri është një sfidë e vështirë. Edhe me librin e parë, “Gomorra”, italiani Roberto Saviano pati probleme me plagjiaturën. Por kur botoi librin tjetër “ZeroZeroZero”, gjërat u komplikuan më shumë. Mafiozët napolitanë këtë herë ishin zëvendësuar me një mafie globale, ku spikasnin emra si El Magico, El Mochomo, El Mata Amigos, El Majadero, El Mas Loco etj. Një investigim i “The Daily Beast” zbuloi se pjesë të tëra ishin plagjiarizëm i pastër, shoqëruar me intervista nga ‘burime’ që mund të mos ekzistojnë. Pas kësaj, Saviano reagoi duke thënë se “metoda është kronika, rezultati është letërsi”.
***
Sidomos kohët e fundit, shqiptarët janë ‘zhytur’ në një botë ku media u servir diçka të tillë, mes kronikës e trillerit. Ditën nëpër portale dhe në mbrëmje përpara ekranit, ata furnizohen me ‘bomba’ nga më të ndryshme. Dikush shpërthen, një tjetër trondit, ka dhe nga ata që të shokojnë. Në sfond është historia e përgjimeve, e mbërritur në Shqipëri nga një raportim normal i një portali italian. Nëse media e huaj dhe Partia Demokratike na ka servirur denoncime, media i ka dhënë ngjyrimet e trillerit, duke na mbajtur pezull me paralajmërime për ‘shpërthime’, ‘tërmet’, ‘bomba’ që do të vijnë. Dhe shqiptarët që ‘lundrojnë’ mes rreshtave apo emisioneve, thurin në mendjen e tyre histori si me regji të Martin Skorsezes. Ashtu në mjegull, teksa imagjinojnë se kush mund të jetë në qendër të skandalit të radhës, e kanë të vështirë të vënë gishtin diku, pasi ‘përshkrimi u shkon për shtat të gjithëve’. Psikologët kanë kohë që kanë folur për këtë fenomen. Disa e quajnë ‘Efekti Forer’, të tjerë e njohin me emrin “Efekti Barnum”.
***
Përse njerëzit besojnë te fallxhoret dhe horoskopi? Një mundësi është për shkak se interpretimet janë të vërteta. Por psikologët për dekada kanë hetuar atë që njihet si “Efekti Forer”. Ndryshe njihet edhe si “Efekti Barnum” në nderim të PT Barnum, një shoumen dhe politikan amerikan, i famshëm për shprehjen e tij “kemi diçka për gjithkënd”. Për ata që duan të mësojnë më shumë për këtë gjeni, në kinema shumë shpejt del filmi për jetën e tij “The Greatest Showman”, me Hugh Jackman në rolin kryesor.
Për ta ilustruar më mirë, 60 vjet më parë, një profesor i quajtur Forer bëri një eksperiment me studentët e tij. Ai u dha atyre një test personaliteti, por injoroi përgjigjet e tyre, duke u dhënë çdo studenti një vlerësim identik. Për të gjithë thuhej: “Ti ke një nevojë të madhe që njerëzit e tjerë të të admirojnë”, “ti ke tendencë për të qenë kritik ndaj vetes”, “ti ke kapacitet të madh, por të pashfrytëzuar”. Edhe pse studentët thanë se nuk besojnë tek astrologjia apo fallxhoret, sa i përket vlerësimit, thanë se ai ishte i shkëlqyer. Prej asaj kohe, “Efekti Forer” përdoret për të shpjeguar se si disa përgjithësime të mjegullta, duket se i shkojnë për shtat të gjithëve. Sa herë dikush na sheh filxhanin ose na lexon fatin, besojmë se ia ka qëlluar për shkak të përgjithësimeve me nivel të lartë vlefshmërie. Sidomos personat që janë në ankth kanë tendencë më të madhe për të besuar tek ky gjeneralizim.
****
Kështu po ndodh edhe këtu. Çdo ditë, por sidomos në mbrëmje, shqiptarët ulen dhe lexojnë ose dëgjojnë horoskopin politik, me një garniturë me ‘FBI e peshq të mëdhenj’. Ja si shprehej përpara disa vitesh Saviano për Shqipërinë. Në marsin e vitit 2011, ai parashihte apokalipsin. Këshilla që do t’i jepja publikut shqiptar, është: Kujdes! Çdo minierë do t’ju shndërrohet në një vendshkarkim mbeturinash, çdo fabrikë e braktisur do t’ju shndërrohet në një magazinë plehrash. Italia po sheh (dhe jo vetëm Italia mafioze) në hapësirën shqiptare një biznes për mbeturinat. Sa më shumë dëshirë ka për të bërë biznes nga ana e shqiptarëve, aq më i lartë është rreziku gjeografik, biologjik, natyror për Shqipërinë… Kështu që ky operacion, nëse nuk kontrollohet, pas pesë vjetësh ne do të takohemi përsëri dhe do të themi se si vallë periferitë e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janë plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Pra, bëni shumë kujdes! Cikli i mbeturinave, nëse është i qartë, i kontrolluar në çdo kalim të tijin, mund të shndërrohet në një biznes për kombin shqiptar.
***
Shumëkush mund të thotë se ku është e keqja këtu? Tek e fundit, politika është e lidhur ngushtë me krimin, apo jo? Mbi të gjitha, edhe gazetarët kanë të drejtë të nxisin imagjinatën tonë, sa kohë nuk kanë përmendur emra konkretë, por kanë lënë pikëpyetje të hapura. Duket e drejtë, por siç shkruante para disa ditësh kolegu dhe pedagogu i UET, Fitim Zekthi, nuk ekziston përgjegjësia e sistemit, çdo krim është përgjegjësi personale.
Jo thjesht nga prania e pazakontë në tituj gazetash apo kronika televizionesh, por nga gjithë pamja që ofron realiteti sot në Shqipëri gati në çdo segment të tijin, kuptohet se krimi, trafiku i drogës, ai i prostitucionit, korrupsioni apo abuzimet me paratë publike janë në një pikë aq të lartë, sa shumëkush e sheh të pashpresë përmirësimin e kësaj gjendjeje dhe gjetjen e arsyeve për të mos emigruar. Tërë partitë politike, deputetët, ministrat flasin për luftë ndaj krimit, për Reformë në Drejtësi, për ndryshim apo përmirësim të sistemit, për sistemin që për një arsye apo mekanizëm bën të mundur këtë shkallë krimi. Gjuha që ata përdorin në përgjithësi synon të shfajësojë ata vetë duke ia mveshur një pjesë të përgjegjësive në mos të gjitha sistemit (nuk dihet se ç’kuptojnë me sistem, ndoshta tërë strukturën sociale, ekonomike, kulturore të vendit). Një aspekt i rëndësishëm i luftës ndaj krimit sigurisht që do t’i përkasë përmirësimit të institucioneve, si: prokuroria, gjykatat, policia në mënyrë që njerëz të aftë dhe të ndershëm të drejtojnë këto institucione, por elementi themelor në luftën ndaj krimit është ndryshimi i pikëpamjes mbi rolin apo përgjegjësinë e sistemit në sendërtimin e një krimi apo një situate kriminale. Pra, fillimisht do të duhet të mos fajësohet sistemi për krimin e askujt, shkruan Zekthi.
Edhe vetë opozita në denoncimet e saj ndoshta druhet se po e bën pis ‘sistemin’ më shumë se ç’duhet. Detyra e saj është delikate, sepse duhet të ‘lahen’ në një pishinë, por duke bërë pis vetëm ujin e kundërshtarit. Pasojat e dëshpërimit të njerëzve me sistemin po i shohim edhe në vende shumë më të zhvilluara. Ndaj në vend që të lëshojmë ‘bomba’ me sa mundemi, duke menduar se sistemi mban dhe nuk dëmtohet, do ishte mirë që të ishim më të qartë dhe konkretë, duke mbajtur së paku në mendje se sistemi mund të ketë probleme, por nuk është ai fajtori. Sepse duke shtuar dëshpërimin ndaj sistemit, thjesht i kemi bërë dëm vetes. Këtë kemi nisur ta shohim që tani, por më vonë pasojat mund të jenë më të rënda. Atëherë do të vijë ‘bomba’ e vërtetë.
Pse duhet të bëjmë kujdes kur bëjmë sondazhe?
Rrallë të rastis të shohësh në ndonjë media të huaj të tilla sondazhe që ‘gëlojnë’ te ne, ku mbi 90 për qind e njerëzve ndajnë të njëjtin mendim. Mund të jetë nga fakti se njerëzit kanë të drejtë. Por sot po bëhet gjithmonë e më e vështirë të bësh sondazhe të besueshme. Këtë e kanë treguar disa ngjarje me rëndësi politike në planet. Psikologu Daniel Kahneman shkruan se pyetjet duhen bërë me shumë kujdes, pasi edhe disa detaje mund të ndryshojnë krejt rrjedhën e sondazhit. Ai thotë se nëse e pyet një të intervistuar për lumturinë, direkt pasi e ke pyetur për diçka politike, përgjigja e tij do jetë shumë më pesimiste.
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

7 Ide recetash me ushqime që ndihmojnë në rënien nga pesha

Këto receta të thjeshta janë opsione të shëndetshme dhe të shijshme për të shuar urinë ndërmjet vakteve. Përbërësit anti-inflamator në...

Mix1 ditë më herët

Mish i huaj në hundë, shkaqet, simptomat dhe faktorët e rrezikut

Polipet nazale ( mish i huaj në hundë) janë masa beninje jo të dhimbshme që rriten në mukozën e hundës....

Mix1 ditë më herët

Sa operacione cezariane mund të përballojë një grua për lindjen e fëmijëve?

Disa gra lindin në mënyrë natyrale, kurse disa gra tjera lindin me prerje Cezariane. Secila foshnje vjen në këtë botë...

Mix1 ditë më herët

Studimi: Ngjitja e shkallëve do t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë

Përfitimet e ecjes për shëndetin tonë psikologjik dhe fizik janë të shumta dhe të gjithë e dimë se sa mirë është për...

Mix1 ditë më herët

11 këshilla të të folurit në publik nga folësit më të mirë të TED Talks

Nuk ka asnjë dyshim: TED Talks kanë ngritur shumë lart atë që konsiderohet një prezantim i paharrueshëm dhe impresionues në...

Mix1 ditë më herët

OpenAI debuton modelin “omni” GPT-4o që fuqizon ChatGPT

OpenAI ka njoftuar një model të ri gjenerues të AI, të cilin e quajtën GPT-4o – “o” qëndron për “omni”,...

Radar1 ditë më herët

Kush po pret fundin e Berishës? “‘Vdiq’ baba të na lirojë krevatin”, Murrizi liston emrat

Ish deputeti Myslym Murrizi, i ftuar në “Breaking”, dha emrat e disa deputetëve të opozitës, të cilët sipas tij po...

Sport1 ditë më herët

Granit Xhaka: Historia e një lojtari që refuzoi të dorëzohet

Shkruhet “Granit Xhaka”, lexohet “Talent, Këmbëngulje dhe Frymëzim”. Historia e tij meriton të shkruhet jo në artikuj, por në libra....

Mix1 ditë më herët

Van Hunt poston ‘pa dashje’ fotografinë nudo të Halle Berry në nder të Ditës së Nënës

Më 12 maj, në Ditën e Nënës, këngëtari 54-vjeçar postoi ‘pa dashje’ fotografinë nudo të partneres së tij, 57-vjeçare, me...

Mix1 ditë më herët

Për ty që do të kesh tatuazhe ‘sekrete’: Ja +10 ide

FOTO: GETTY | EDWARD BERTHELOT Edhe nëse trupi juaj është tashmë i mbuluar me tatuazhe nga koka te këmbët, versionet...

Facebook