Lidhu me ne

Temporal

Korça u themelua nga 26 familje myslimane

  
Mes dokumenteve që flasin për krijimin e qytetit të Korçës ekziston edhe një letër-ankesë, shkruar 500 vjet më parë në emër të Dizdarit të kalasë, Subashit të Korçës, Muhtesibit (mbledhësit të taksave), ushtarëve të kalasë, banorëve të qytetit dhe të fshatrave përreth, drejtuar Portës së Lartë të Stambollit, ku shkruesit e saj i qahen sulltanit për padrejtësitë që u bëheshin nga njerëzit e pasur, por kur vjen radha të ankohen për Iljaz bej Mirahorin, themeluesin e qytetit të Korçës, dalin në pah mjaft të dhëna të rëndësishme, të cilat do t’i kishte zili çdo historian.
Letra ka mbetur pothuajse e panjohur deri më sot. Asnjëherë nuk ka marrë vlerësimin e merituar. Ne do t’u njohim me këtë letër dhe detajet e saj. Në fund të shkrimit do të mësoni faktin se Korça mori jetë nga 26 familje myslimane. Cilat ishin ato? Ndiqni përmbajtjen e letrës.
Edhe dy shpjegime të vogla, para se të fillojmë me letër-ankesën: së pari, letrës në fjalë i mungon data, por përcaktimi i kohës kur është shkruar ajo, nuk është i vështirë. Sipas Nuçi Naçit, Mirahori vdiq në vitin 1500, sipas Sami Frashërit në vitin 1501, ndërsa sipas Nedai Thëllimit, në vitin 1512.
Gjithashtu, në vitin 910 sipas kalendarit hixhri, ose më 1504-1505 me kalendarin e sotëm, Mirahori ktheu pronat e tij në vakëfe, që do të thotë se deri në këtë kohë ai ka qenë gjallë. Pra, letra duhet të jetë shkruar së paku para vitit 1505, por jo më larg se viti 1512. Së dyti, kalanë e Korçës (ose më saktë të Mborjes) e gjejmë të përmendur në vitin 1431-1432 në regjistrin e Korçës dhe Përmetit. Ishte e banuar nga 26 shtëpi. Pranë saj ndodhej Mborja me 90 shtëpi dhe katundi Peskëpi me 71 shtëpi. Kalaja gjendej rreth 3 km larg nga vendndodhja e sotme e qytetit të Korçës.
Letër-ankesa drejtuar sulltanit është kjo: “Qyshse qe pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë. Mirëpo Koxha Mirahori prishi pazarin dhe hamamin, mori kazanin, dhe pazarin e shpërnguli në fshatin që qe pranë dhe pronë e tij. Duke qenë pranë kalasë, brenda në qytet dhe pranë xhamisë së Sulltan Mehmetit, tregu qe gjallëruar dhe pat marrë një pamje të hijshme.
Mirëpo tani që tregu u shpërngul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u shpërndanë, në xhami nuk kish kush të falej më, dhe të ardhurat nga taksa e pazarit u paksuan. Trimat e djalit të Mirahorit, Sefer beut, u bënin njerëzve në Pazar zullume të mëdha. Për shkak të këtyre zullumeve, rençberët (zatatçinjtë) u larguan nga tregu. Banorët e kalasë dhe të qytetit në në dimër nuk mund të shkonin në treg”.(Top Kapi nuzesinim Arsivi, dok 1631. Përkthyer nga Selami Pulaha).
Tashmë le të shohim me kujdes çdo fjalë të letër-ankesës: “Qyshse qe pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë…”. Kjo do të thotë se jeta e pazarit pranë kalasë ka nisur me pushtim turk, (qyshse qe pushtuar Korça), dhe jo më parë. Në vijim, kjo e vërtetë do të bëhet edhe më e qartë. Kur u pushtua Korça? Po i referohemi Ilia Ballaurit: “Të dhënat historike dëshmojnë se Turqit nën komandën e Evrenos Pashës pushtuan krahinën e Devollit në vitin 1381 dhe katër vjet më vonë, më 1385, nisën një fushatë me 40 mijë ushtarë të komanduar prej Hajredin Pashës dhe pushtuan zonën e Korçës deri në afërsi të Beratit.
Pra, Devolli dhe Korça ranë në duart e Perandorisë Osmane, thuajse një shekull më parë se të binte Kruja, e cila u pushtua më 1478, pasi rezistoi një vit e rrethuar”. (Ilia Ballauri, “Mbi kronologjinë dhe ushtarakët osmanë që pushtuan fillimisht Devollin dhe Korçën”).
Pra, pazari pranë kalasë zë fill që nga nga viti 1385, “qyshse qe pushtuar Korça” e në vijim. Edhe kalaja duhet të jetë ndërtuar ose rindërtuar pikërisht në këtë kohë. (Deri më sot nuk ka një përcaktim përfundimtar mbi datimin e ndërtimit të kalasë së Mborjes)
Ajo kishte vetëm 26 shtëpi, gjë që tregon se kalaja është në fillesat e saj, të cilët nuk ishin gjë tjetër veçse rojtarë dhe nëpunës të Kalasë, pasi aty u vendos administrata e zonës së pushtuar. Këtë krahinë turqit e quajtën “Gierixhë”, fjalë kjo që shqiptohej “Gjorçë”, nga ku
më pas lindi emri “Korçë”. Këtë emër i dha Mirahori edhe qytetit që ngriti në krah të majtë të lumit të Moravës. (Vite më vonë, më 1466-1467 në këtë vend, (në Mborje), u ndal edhe sulltan Mehmeti II, ku edhe ai ndërtoi një hamam).
Vijojmë më tej: “…Mirëpo Koxha Mirahori prishi pazarin dhe hamamin…”, shkruhet në letër. Veprimet e Mirahorit duken të pabesueshme. Ai është një nga njerëzit më të pasur dhe më të pushtetshëm të Perandorisë, dhëndër i sulltan11 Mehmetit II, me prona të shumta në Shqipëri, në Janinë e Stamboll dhe nuk ka nevojë të grabisë një hamam, por përderisa prish pazarin pranë kalasë dhe hamamin, ai është krejt i kthjellët në atë çfarë po bën. Marrja e kazanit të hamamit është vetëm një pretekst.
Qyteti që po ndërton që prej vitit 1486 do të jetë i madh, i bukur dhe konkurues për tregjet e Selanikut, Janinës dhe Stambollit. Pra, ekzistenca e mëtejshme e pazarit pranë kalasë së Korçës (në Mborje) ishte bërë e panevojshme. Në letër përmendet dhe hamami. Nga të dhënat historike rezulton se edhe hamami pranë kalasë u ndërtua nga sulltan Mehmeti I gjatë qëndrimit të tij në Korçë në vitin 1417. Kjo përforcon edhe një herë idenë se jo vetëm kalaja dhe pazari, por edhe hamami u ndërtuan qyshse qe pushtuar Korça e në vijim.
Madje, sipas një gojëdhëne edhe Mborja e mori këtë emër që ka edhe sot e kësaj dite, në saj të sulltan Mehmetit I. Gojëdhëna është kjo: “Kur sulltan Mehmeti I kaloi në këto anë, mbeti i mrekulluar nga bukuria që i ofroi fshati që i doli para. Për këtë arsye ai dha urdhër: “Emburja!”, që do të thotë “zbrisni këtu” dhe që nga ajo kohë vendbanimi që kishte mbajtur emrin “Sheste”, ose “Shjeste”, (sepse ishte një vend ku shitej, tregtohej), u quajt përfundimisht “Emburja”, me kalimin e viteve ky emër mori trajtën “Mborje”.
Vazhdojmë me detajet e letrës. Më poshtë shkruhet: “…mori kazanin, dhe pazarin e shpërnguli në fshatin që qe pranë dhe pronë e tij …”. Kjo tregon se prishja e pazarit dhe e hamamit pranë kalasë ka ndodhur në fillimet e ndërtimit të qytetit të Korçës, përderisa Dizdari i kalasë, Subashi i Korçës, Muhtesibi, ushtarët dhe banorët, – Korçën që po ndërtohej në pronën e tij, nga Mirahori,- e quajnë fshat dhe jo qytet. Gjithashtu deri në vitin 1505 nuk rezulton të jetë ndërtuar ndonjë hamam prej Mirahorit. Në vakëfnamenë e tij (1504-1505), thuhet: “Përjashtohen, (kthimi në vakëf), faltoret, varrezat, kanalet e ujit, pasuritë e të tjerëve dhe rrugët. Krejt hamami i vetëm me ujësjellësin”. (S. Pulaha, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë” f. 281)
Hamami i vetëm bënte pjesë në pronat e Stambollit. Kjo do të thotë se pas prishjes së pazarit dhe marrjes së kazanit, fshihej një qëllim shumë më i madh, – qyteti i Korçës.
Letërshkruesit japin edhe arsyet e tyre pse nuk duhej prishur pazari pranë kalasë. Ata shpjegonin: Pazari “duke qenë pranë kalasë, brenda qytetit dhe pranë xhamisë së sulltan Mehmetit, tregu qe gjallëruar dhe pat marrë një pamje të hijshme…”. Por për Mirahorin rëndësi kishte projekti i tij, ndërtimi i qytetit të Korçës, i cili u bë vërtet i famshëm. Prej rreshtave të mësipërm kuptojmë gjithashtu se pazari pranë kalasë, gjendej brenda qytetit, pra brenda Mborjes. Ky vendbanim (Mborja) në ato kohë konsiderohej si qytet. (Vendndodhjen e kalasë pranë Mborjes e pamë dhe më sipër te regjistrimi i vitit 1431-1432).
Ndërkaq prej letër-ankesës marrim edhe një njoftim tjetër: Pranë pazarit ndodhet edhe xhamia e Sulltan Mehmetit I. Gjatë qëndrimit të tij në vitin 1417, pranë kalasë së Korçës (në Mborje) ishte ngrituar edhe xhamia në emër të tij. Të gjitha këto tregojnë se kalaja, pazari, hamami dhe xhamia ishin ndërtuar që nga viti 1385, “Qyshse qe pushtuar Korça” ose që nga viti 1417 me ardhjen e sulltan Mehmetit I. Po ndalemi edhe në momentet e fundit të letrës, ku bëhet fjalë për ikjen e banorëve të kalasë: “Mirëpo tani që tregu u
shpërngul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u shpërndanë, Në xhami nuk kish kush të falej më dhe të ardhurat nga taksat e pazarit u paksuan…”. Nga sa më sipër, kuptohet se banorët e kalasë i përkasin besimit mysliman. Me ikjen e tyre, në xhami nuk kish kush të falej. Ata e braktisën kalanë e tyre. Po ku shkuan vallë?
Sipas regjistrimit të vitit 1568-69, krahasuar me regjistrimin e vitit 1431-1432, Mborja nga 90 shtëpi që kishte patur, tashmë numëronte 130; Peskëpia nga 71, ishte bërë me 75 shtëpi, kurse Korça nga 26, tashmë kishte 33 shtëpi. Kush ishin banorët e qytetit të Korçës që u ndërtua nga Iljaz bej Mirahori? Nuk ka asnjë dyshim: ishin 26 familjet që braktisën pazarin pranë kalasë dhe që tani ishin bërë 33. Kjo gjë vërtetohet edhe nga një fakt tjetër:
“Në Regjistrin Osman të Kosturit (1520-1530), që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë “Kiril e Metodi”, skeda NBKM, vëllimi 16(22), shqipëruar nga bullgarishtja nga Thoma Kacori, në faqen 49, gjithashtu shkruhet: “… një pjesë e fshatit Emporje është transferuar në Peskëpi, kjo pjesë ka; shtëpi bashkë me nevjaftet e Bilal Faikut (teologut) gjithsej 34, vejusha 1, të ardhura 2675 akçe”. (Engjëllush Pupa, Jetnor Fetah (Qyra), “Mborja ndër vite”).
Edhe emri i teologut Bilal Faiku na tregon se këto familje i përkisnin besimit mysliman. Ja edhe fjalët e fundit të letër-ankesës: “Banorët e kalasë dhe të qytetit në dimër nuk mund të shkonin në treg”. Kjo tregon edhe një herë se pazari pranë kalasë ndodhej pranë Mborjes, 3 kilometra larg qytetit të sotëm të Korçës, gjë që vajtjen në Pazar të Korçës gjatë dimrit e bënte vërtetë të vështirë. Por, pas braktisjes së kalasë, rençberët (zanatçinjtë), me të zënë vend në pazarin e sapongritur të Korçës, u bënë mjeshtra dhe tregtarë të vërtetë. Më vonë, sipas të gjitha gjasave, pas vitit 1568-1569, (regjistrimi i dytë turk), Iliaz bej Mirahori solli në Korçë bashkëfshatarët e tij nga Panariti, pasi tashmë i duheshin mjeshtër të ndërtimit: “Mirahori u kthye përsëri në Panarit ku mblodhi të gjithë mjeshtrat dhe ustallarët më në zë të këtij fshati…Në qytetin e Korçës Iljaz bej Mirahori ndërtoi edhe një han të madh për bashkëfshatarët e tj panaritas dhe gjithë trevën e Vakëfeve…” (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 250).
Vakëfllinjtë njihen edhe si ndërtues të pazarit të Përmetit: “Ndërtimin e tij e kanë bërë vakëfllinjtë (sidomos Trebicka), të cilët vinin me punë sezonale dhe sollën familjet që nga prishjet e vitit 1916. Përmeti vetë nuk ka pasur muratorë…” (Stilian Adhami, “Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe në kujtimet e popullit”, f. 330)
Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix2 ditë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix2 ditë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix2 ditë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix2 ditë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix2 ditë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix3 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix3 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix3 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix3 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook