Lidhu me ne

Kryesore

Prioritete të zhvendosura: Këmbësorët, përparësi vetëm në letra

Në trotuaret e rrugëve qendrore të Tiranës gjen gjithçka: Shtylla që mbajnë tabela dhe reklama; pemë të rrethuara nga bordura të gjera; biçikleta të parkuara; mallra që reklamohen për t`u shitur dhe kioska. Shpesh brenda trotuarit gjenden edhe shkallë dyqanesh apo karrige lokalesh, ndërsa ajo që mungon pothuajse gjithmonë është hapësira e lirë për ecjen e këmbësorëve.

Një vëzhgim i Qendrës për Gazetari Cilësore në trotuaret e Tiranës, duke përfshirë ato të rrugëve kryesore dhe dytësore, del në përfundimin se përditë e më shumë sipërfaqet e tyre po ngushtohen dhe se këmbësorët kanë përparësi vetëm në planet e shkruara të bashkisë.

Në rrugët kryesore shpesh qytetarëve iu duhet të ecin në radhë për të kaluar në trotuar. Pavarësisht kësaj, nuk vërehet asnjë investim për ndryshimin e situatës apo zgjidhje inteligjente, të cilat mund t`i zbraznin trotuaret nga barra e tepërt që mbajnë.

Nga ana tjetër, në rrugët e brendshme të qytetit trotuaret për kalimtarët ende janë një luks dhe të paqena në një pjesë të madhe. Ndryshim nuk bëjnë as rrugët e reja që rikonstruktohen nga bashkia, kur trotuaret nuk kanë asnjë përparësi.

Pemët, shtyllat elektrike dhe stacioni i autobusit pengon kalimin e këmbësorëve në trotuarin pranë shkollës Kosova në Rrugën e Elbasanit. Foto: Antonio Çakshiri

Kur në dhjetor të vitit 2016 bashkia miratoi planin e përgjithshëm vendor nën emrin TR030 dhe vizionin për transformimin e Tiranës në një qytet intensiv dhe policenterik brenda vitit 2030, një “piramidë parimesh” u theksua fort në dokument.

Në të këmbësorët qëndrojnë në majën e piramidës me planin që zotohej se, jo vetëm do të ruajë faktin se 30 për qind e të gjitha udhëtimeve të banorëve të Tiranës do të bëhen me këmbë, por do ta rrisë këtë përqindje duke forcuar statusin e tyre dhe zgjeruar rrugët.

Si prioritet të dytë bashkia vendos biçikletat dhe në fund të piramidës qëndrojnë makinat. Aktualisht në Tiranë vërehet një përmirësim real i infrastrukturës për përdorimin e biçikletave. Sipas Bashkisë së Tiranës, deri tani ata kanë punuar në disa rrugë kryesore për krijimin e korsive të dedikuara për biçikletat me një sipërfaqe totale prej 18,194 metrash linearë ose 18,1 km. Bashkia detajon të gjitha rrugët ku këto korsi ndodhen dhe gjatësinë për secilën prej tyre.

Por, e pyetur se sa trotuare të reja janë ndërtuar në Tiranë së bashku me numrin dhe gjatësinë e atyre të rikonstruktuara, përgjigjja që vjen nga bashkia është vetëm një rresht, ku theksohet se “108,000 m2 trotuare janë ndërtuar, si në infrastrukturën rrugore, ashtu dhe në rikualifikimet urbane”.

Nisur nga nevoja për të ditur qëndrimin e bashkisë në lidhje me situatën dhe planet për përmirësimin e sipërfaqeve për këmbësorët, Qendra kontaktoi drejtorin e Drejtorisë Nr. 2 të Punëtorëve të Qytetit, Elton Kacidhjan, i cili fillimisht u shpreh i hapur për të diskutuar.

Kur disa pyetje iu dërguan në adresën e email-it së bashku me fotografitë e disa trotuareve në Tiranë, drejtuesi i bashkisë u bë i padisponueshëm.

Kundërshtarët politikë të administratës së bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj e shohin problematikën e trotuareve në Tiranë të lidhur ngushtë me mungesën e vizionit të planit TR030. Akil Kraja, anëtar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha se ky plan e lë Tiranën në thelb një qytet dhe nuk lejon transformimin e saj në një metropol.

“Njerëzve iu kërkohet të vijnë Tiranë dhe qyteti nuk lidhet me zonat përreth duke mos iu dhënë shans këtyre të fundit të zhvillohen dhe integrohen për të formuar metropolin.

Gjithashtu, plani ka shtuar ndjeshëm lejet e ndërtimit duke ngushtuar hapësirat dhe duke krijuar konflikt të vazhdueshëm mes atyre që duan të ecin, të pedalojnë apo ngasin makinën”, – tha ai.

Prioritete të zhvendosura

Tirana me gati 800,000 banorë shpesh përshkruhet nga vizitorët si një qytet i këndshëm, i zhurmshëm, me tipare mesdhetare, ku të ecësh është mënyra më e mirë dhe shpesh më e shpejtë për të plotësuar nevojat e ditës.

Por ecja në qytet është bërë problematike dhe duket se, pavarësisht planeve të shkruara, zgjerimi i hapësirave për kalimtarët nuk është përparësi.

Trotuaret e rrugës “Sulejman Delvina” që lidh sheshin Willson me kryqëzimin e shkollës “Vasil Shanto” janë një shembull tipik i situatës me trotuaret në rrugët qendrore të Tiranës.

Arta, 39 vjeç, nënë e dy fëmijëve të vegjël, e cila jeton në një nga blloqet e zonës, thekson se kalimi në trotuare është kthyer për të në sfidë.

“Djalin e vogël e kam ende në karrocë dhe është e vështirë të ecësh, kur ndërkaq tjetrin e mbaj prej dore. Më është bërë stres kjo situatë, sepse, nëse dal me ta paradite, krijoj një radhë të gjatë njerëzish të mërzitur nga pas”, – thotë ajo.

Gjatë verës në rrugën “Sulejman Delvina” bashkia punoi për hapjen e një korsie të dedikuar për biçikleta, me dy drejtime, por, nga ana tjetër, nuk pati asnjë përpjekje nga ana e punonjësve të saj për zgjerimin apo lirimin e trotuareve.

Sipas Etleva Dobjanit, arkitekte, lektore pranë Universitetit Polis, “një qytet i qëndrueshëm nga të gjithë konsiderohet ai që është i aksesueshëm nga të gjithë, pa barriera arkitektonike, i cili krijon lehtësi dhe akses për personat me aftësi të kufizuara, për nënat, të cilat lëvizin me karrocat e fëmijëve të tyre etj.”

“Në rastin e trotuarit të rrugës “Sulejman Delvina” duhej të projektohej më mirë elementi i gjelbërimit, si në evidentimin e tij, ashtu edhe në krijimin e linjave të kurbëta, në mënyrë që ecja e këmbësorëve apo e karrocave të ishte me fluide”, – sugjeron ajo.

Sipas anëtarit të Këshillit Bashkiak z. Kraja, mungesa e vullnetit për të qenë të qëndrueshëm në nismat e shpallura e ka përkeqësuar më tej gjendjen e trotuareve në qytet.

“Nuk ka një vijimësi të nismave të filluara më bujë. Kështu kemi rastin kur në vitin 2015 u nis fushata e lirimit të trotuareve, por kjo nuk u vijua dhe u la përgjysmë”, – tha ai.

Trotuari, luks për rrugët dytësore

Problematika e trotuareve në Tiranë duket se është e mbartur prej një kohe të gjatë si pasojë e ndërtimeve kaotike në kryeqytet, shoqëruar me mungesën e vëmendjeve të administratave për të zhbërë dëmet dhe për t`iu rikthyer sipërfaqet publike qytetarëve.

Përdorimi i punëve publike kryesisht për makijazh elektoral duket se është një sëmundje e vjetër, nga e cila e pësojnë qytetarët.

Rruga dytësore “Hajdar Hidi” që lidh rrugën “Myslym Shyri” me rrugën e Kavajës u përurua me shpejtësi nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.

Ato çfarë u harruan të bëheshin për këtë rrugë, e cila deri në ato momente ishte vetëm me kalldrëm, ishin pikërisht trotuaret.

Mereme Ahmeti, e cila jeton prej 60 vitesh në këtë rrugë, thotë se banorët jetojnë me frikën e përplasjes nga makinat.

“Është problem, se kalojnë shumë makina këtu. Edhe rruga është e ngushtë dhe unë detyrohem t`i shoqëroj vetë në çdo rast nipërit”, – thotë ajo.

Investimet në rrugë të Bashkisë së Tiranës aktualisht nuk po sjellin shpresë për ndryshimin e situatës me trotuaret.

Rruga “Herman Gmeiner” pranë fshatit SOS në Sauk është një shembull negativ i zhvillimeve të reja urbane në kryeqytet. Trotuaret buzë shtëpive private me oborre të gjera dhe mure të larta janë tejet të ngushta dhe pothuajse plotësisht të zëna nga shtyllat që mbajnë tabelat e sinjalistikës. Kalimi aty bëhet edhe më i vështirë për shkak të bimësisë që ka mbirë apo bie mbi trotuar.

Nevoja për trotuare në qytet dhe në rrethinat e tij nuk është vetëm estetike apo që ndihmon qytetarët në një lëvizje sa më të qetë, por një domosdoshmëri, në kushtet kur në mungesë të tyre jeta e qytetarëve vendoset çdo ditë në rrezik.

*Në foton e parë në fillim të shkrimit, trotuari me pengesa për kalimin e këmbësorëve pranë shkollës Kosova në Rrugën e Elbasanit. Disa qytetarë zgjedhin të kalojnë në rrugën e automjeteve. Foto: Antonio Çakshiri/qualityjournalism.com.al

MË TEPËR

Mix17 orë më herët

Çfarë duhet të hani për mëngjes, 5 zakone të mira për të qëndruar në formë

Të dish se çfarë duhet të hani në mëngjes për të humbur peshë është më e rëndësishme se kurrë, sepse...

Mix17 orë më herët

Djersitja tek meshkujt – Si ta mbani nën kontroll këtë problem

Djersa përbën mënyrën kryesore të trupit për tu freskuar. Megjithatë ka raste që vërehen tek meshkujt kur djersa shkon çurg,...

Mix17 orë më herët

3 Ushqime që mund të konsumoni çdo ditë për shëndet më të mirë

Pavarësisht nëse po përpiqeni të humbni peshë, apo thjesht keni vendosur të filloni të kujdeseni më mirë për veten, ka...

Mix17 orë më herët

Kafeina, droga psikoaktive më e konsumuar në botë”, Varësia që krijon organizmi prej kafesë

Kafeja është e pandashme në jetën e shumë njerëzve, “Kafeja definitivisht të bën të varur”,thotë Carsten Schleh. Ai është toksikolog...

Mix17 orë më herët

Studimi: Sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Sa fëmijë duhet të keni është një debat i vjetër, por për çdo prind që aktualisht pyet nëse duhet të...

Mix17 orë më herët

Jon Bon Jovi e pranon publikisht: “E kam tradhtuar shumë herë gruan time…”

John Francis Bongiovi Jr., ky është emri i vërtetë i yllit të rokut, i njohur si Bon Jovi. Por pak...

Mix1 ditë më herët

Billie Eilish sapo na tregoi se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë

GETTY Billie Eilish, megjithëse nuk e ka pasur në plan të flasë për seskualitetin e saj, sërish ka ndarë me...

Mix1 ditë më herët

Ky është peshku më i shëndetshëm për t’u ngrënë dhe ja pse

FOTO: NUGROHO RIDHO / GETTY IMAGES Peshku është një proteinë me cilësi të lartë, por sërish njerëzit nuk e konsumojnë...

Mix1 ditë më herët

Kylie Jenner pozon topless

Kylie Jenner konsiderohet si një ikonë mode dhe çdo lëvizje e saj kthehet në trend. Me siguri kështu do bëhet...

Mix1 ditë më herët

There’s Still Tomorrow (C’è Ancora Domani), filmi italian me fitimin më të madh, ia kalon edhe filmit “Barbie”

Filmi “Barbie” i Greta Gerwig mund të jetë filmi më i suksesshëm financiarisht i drejtuar ndonjëherë nga një regjisore femër...

Facebook