Autori më i mirë i vitit 2019 shpallet Besnik Mustafaj, me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, me motivacionin: Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve; ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare.

Përkthyesi më i mirë i vitit 2019-të shpallet Korab Hoxha për përkthimin e vëllimit me poezi, ese dhe proza të shkurtra të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva, “Tetori në vagon”.

Autori më i mirë i prozës memorialistike shpallet Lekë Tasi me librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”, me motivacionin: Për sensibilitetin dhe mesazhin e prozës së tij në përshkrimin plot vërtetësi tronditëse të ngjarjeve dhe njerëzve, përmes shquarjes së njerëzores nën terrin e diktaturës.

Çmimi i katërt: Çmimi i Ambasadës Franceze për përkthimin më cilësor, në kuadrin e Panairit të 22-të Tirana 2019, i shkon Milan Kunderës.

“Lehtësia e padurueshme e qenies”, botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, me këtë motivacion: “Për promovimin e letërsisë më të mirë bashkëkohore franceze, përmes sjelljes në një shqipe të pastër e të thellë të librit më të rëndësishëm të Kunderës, me karakter sa universal aq edhe historik. Në këtë përkthim, thjeshtësia ngrihet në abstraksion dhe interpretimi i tekstit si çelës i suksesit të përkthimit të mirë, është arritur maksimalisht. Me këtë rast, lexuesit shqiptarë mund ta shijojnë përkthimin po aq sa edhe origjinalin”.