Lidhu me ne

Temporal

Rrëfimet e Refik Toptanit

Blendi Fevziu sjell në librin Tirana e nonës, botimet UET PRESS rrëfimet e veprimtarit të njohur Refik Toptani. Tre histori që na çojnë pas në kohë për të na konfiguruar të plotë të shkuarën

Historia e parë

Një Aga toptanas i Krujës ishte i moshuar, por kur i vdiq e shoqja, u martua me një vajzë të re, 20-vjeçare. Pas ca kohësh ajo nisi një histori dashurie me qehajan, një burrë i ri, i shëndetshëm dhe i fortë. Kur i kapën në flagrancë, Agai urdhëroi që të shoqen ta mbyllnin në një qeli të errët në bodrumet e kalasë, ndërsa qehajain ta varnin nga këmbët, pasi t’i prisnin organet gjenitale. E varën në mes të oborrit, ku vdiq me mundime të mëdha. Pas shumë kohësh, kur po vdiste, Agai u kujtua për gruan dhe urdhëroi ta lironin. Por çfarë të shihje? Ajo ishte shndërruar në një plakë me trupin e kërrusur të ligështuar, me sytë gjysmë të verbuar dhe me flokët krejt të zbardhur.

Historia e dytë

Një tregtar i ri venedikas kishte arritur të takohej fshehurazi me bijën e vetme të një beu toptanas, emrin e tij nuk mund ta them, dhe e kish lënë me barrë. Pas ca kohësh vajza u sëmur dhe kur barku nisi t’i fryhej e ëma e kuptoi gjendjen dhe ia tha të shoqit. Por ngjarja mbeti shumë e fshehtë. E dinin vetëm njerëzit e afërt. Atëherë i ati hyri në dhomën e saj, i hapi me forcë gojën dhe i derdhi një lëng. Ishte një helm shumë i fortë, që bejlerët e kohës e ruanin me shishe të vogël në kasafortë, që në rast gjendjeje të vështirë, ta pinin që të mos binin gjallë në dorë të kundërshtarëve.

Pasi vajza vdiq, u thirr mjeku legal, një grek. Ai sapo hyri brenda dhe e pa e kuptoi.

— Kjo është vetëhelmuar o bej, — i tha.

Beu i dëshpëruar në kulm, vuri dorën në revole dhe i tha:

Ka vdek nga zemra heqim efendi. Shkruaj procesverbalin, firmose, vulose dhe veç varrit do t’ia tregosh këtë gjë.

Dhe i la mbi letër disa florinj.

Kjo tragjedi u muar vesh shumë më vonë, kur shumica e të gjallëve të asaj kohe nuk jetonin më. Vajzën e varrosën sipas zakonit, por dy roje, kërkonin vazhdimisht tregtarin venedikas, sa herë në qytet shfaqeshin të tillë. E vetmja, që e kishte parë dhe e njihte ishte një kadne. Për fatin e tij të zi, ky tregtar erdhi prapë në Tiranë për tregti. Plaka e njohu. Menjëherë e lidhën dhe e futën në bodrumin e sarajit. I mjeri. I lutej beut që ta falte dhe i thoshte se ishte gati ta merrte vajzën e tij për grua. Madje do të jetonte përgjithnjë në Tiranë. I prenë kokën dhe trupin ia mbytën në një pjesë të thellë të lumit, pasi i lidhën gurë të rëndë.

Historia e tretë

Më kujtohet tani se sa injorante ishin zonjat e atëhershme. Ishin të zonjat për gjellë e ëmbëlsira, për pritje e përcjellje, për të mbajtur në rregull shtëpinë, por kulturë kishin shumë pak. Në shtëpitë e tyre kishte shumë antikitete të blera në Stamboll apo vendet e tjera të Orientit si tabaka, tepsia prej bakri të kuq, të gdhendura me pamje të Stambollit ose lule e drunj, shandanë bronzi të rëndë për pesë qirinj aromatikë, llamba e fenerë të ndryshëm. Të gjitha të zbukuruara me panorama të gdhendura nga mjeshtër të mëdhenj. Pushkë e shpata; xhybe të vjetra të qëndisura me fije ari. Këto, hanëmet i shkëmbenin me topa bezesh e basmesh, stampuar me lule që i sillnin në harem tregtarët venedikas. Ata nuk i shisnin me para, por preferonin t’i shkëmbenin me antikitete. Zonjat i thoshin njëra-tjetrës:

— Sa budallenj janë këta kaurrët. I ndërrojnë këto topa me beze të bukur me vjetërsira!

Nuk e di sa e perceptoi Refik Toptani zvetënimin e fuqisë së tij. Me gjasë i mbyllur në shtëpinë e madhe në Kamëz, rrethuar nga besnikë e shërbëtorë, ai nuk pati kohë ta provonte këtë. Nona po. Nona e ndjeu bjerrjen e pushtetit të të atit, por ky ishte fillimi. Ajo u mbyll në jetën e saj, me kujtimet e Vjenës dhe me lavdinë tashmë të harruar të Toptanasve, të cilët ishin përpjekur për këtë vend dhe për Tiranën.

Teta Meti dhe Bibia ishin ndryshe

Teta Meti e ndjeu edhe ajo rrudhjen e pushtetit të të atit, por shumë më pak se Nona. Ajo ishte tre vjet më e re. Pak e kishte parë babanë në kulmin e shkëlqimit. Nga ana tjetër, burri i saj i ardhshëm ishte djali i Zija Beut, njeriut më të pasur të Tiranës, i cili i kishte dhënë Zogut me qira pallatin nga ku drejtonte mbretërinë. Vetë mbante statusin e senatorit. Pra, në një lloj mënyre, ajo ishte e lidhur me pushtetin e ri, qe bërë pjesë e tij. E kishte harruar disi dominimin toptanas të Tiranës, duke menduar për pushtetin e tyre brenda pushtetit të mbretit. Në fund të fundit, edhe Zogu e kishte nënën toptanase dhe kjo e kompensonte statusin e munguar. Teta Meti i shkoi asaj disa herë për vizitë. Sadije Toptani Zogu ishte një grua e urtë, e mirë dhe siç rrëfen Pietro Kuarone, i ngarkuari me punë i Italisë, gjithë autoritet. Ajo përgatiste çdo ditë drekën për të birin dhe një xhandar me doreza të bardha, shoqëruar nga dy xhandarë me bajonetat mbërthyer, ia çonin në zyrë, duke kaluar, nga rruga e Urës së Tabakëve, ku banonte ajo, në Pallatin Mbretëror, që sot është selia e Akademisë së Shkencave.

Kështu, teta Meti dhe burri i saj, Atifi, u munduan të hyjnë në pushtetin e ri, të bëhen aty-këtu pjesë e tij. Teta Meti nuk i konsideronte kaq problematikë njerëzit e afërt të mbretit, madje besonte se disa prej tyre ishin edhe më të zgjuar se një pjesë e fisit të saj, që për hir të së vërtetës, kishte një dell të çuditshëm. Por burri i saj nuk kishte talent dhe as ambicie të mjaftueshme politike. Ai nuk u angazhua. Madje as pati interesa gjithë jetën, me përjashtim të një rasti në luftën italo-greke. Atëherë nga entuziazmi se do çlironin Çamërinë, u bë vullnetar në batalionin “Tomorri”. Qëndroi disa kohë në frontin italo-grek duke hapur trase, edhe pse ishte nga pasanikët më të mëdhenj në Tiranë. Derisa një ditë, me urdhër të një gjenerali epror, tek i cili ishte ankuar teta Meti, e kthyen në Tiranë. E gjetën deri në bel në ujë, me lopatë në dorë, duke iu treguar të tjerëve, se si Çamëria do t’i kthehej Shqipërisë. Talentin e munguar politik u mundua ta kompensojë me modën e re të asaj kohe, atë të tregtisë. Duke pasur para, hapi një dyqan me penj dhe gjilpëra, të mbushur plot e përplot me mall italian; më pas mendoi të sillte në Shqipëri makina dhe në fund i mbylli të gjitha, i bindur se ata që punësonte e vidhnin. Ndërkohë që s’kishte as talent, as kohë për t’u marrë me biznes. Ndaj e mblodhi mendjen. Vendosi të jetojë me paratë e të atit dhe iu dha bashkë me të shoqen kënaqësive normale, që ofronte jeta në atë kohë. Udhëtime nëpër Europë, dreka, darka, vizita të gjata në kafenetë më të mira. U gjendën të dy midis fuqisë së kohës, pa luajtur ndonjë rol, por duke përfituar nga emri i Toptanasve në bjerrje dhe njëkohësisht nga statusi ekonomik që kishin. Në fakt, në vitet e fundit të jetës, diploma e agronomit që mori në Itali, por që s’e konsideroi shumë, u bë shpëtimtare për të.

Bibia ishte edhe ajo në vitet e arta. Fejesa dhe më pas martesa i ndryshuan jetën, edhe pse shkurt. Në gjykimin e fuqisë së kohës, Bibia mendonte më shumë si Nona. Ajo s’i duronte dot personazhet injorante që Zogu solli me vete në Tiranë, por, nga ana tjetër, ndiente një lloj shpagimi që toskëria qe shfaqur në domenin shekullor të Toptanasve dhe po e bjerrte fuqinë e tyre. Pra, që Tirana po njihte tani mprehtësinë dhe emancipimin më të madh që, sipas saj, kishte Jugu. Bibisë i pëlqente politika. Ngaqë motra e saj ishte martuar me Mehmet Konicën, vëllanë e Faik Konicës, një diplomat dhe njohës i vjetër i politikës, arrinte të depërtonte indirekt në sallonet politike. Jetonte me thashethemet, lajmet dhe mundohej të mësonte çdo gjë. Ishte kaq e pasionuar pas politikës, sa çdo mbrëmje, kur rrija me të, ulej përballë televizorit për të ndjekur lajmet e RAI-t. Shpesh i asocionte lajmet me personat që i jepnin ato. Në vitet1989-‘90, kur Demetrio Volçiç raportonte përditë nga Moska rënien e Bashkimit Sovjetik, Bibia, që ulej me syzet gati për të ndjekur edicionin e radhës, më thoshte gjithnjë:

— Po doli Dhimitri, është lajm i mirë. Demetrio Volçiç raportoi deri në fund. Ajo pa edhe momentin kur Mikael Gorbaçov doli nga Kremlini me limuzinën e tij, më 31 dhjetor 1991. Doli për të mos u kthyer më, madje mori me vete edhe emrin e Bashkimit Sovjetik. Bibia hoqi syzet, më pa gjithë krenari dhe më tha diçka që më befasoi:

— Sa gjynah që s’e pa Stefani këtë! Vdiq i shkreti.

Stefani ish-qehajai i çifligut të tyre, rus i bardhë, që bolshevikët e përzunë nga atdheu, kishte vdekur, me gjasë në vitet ’50-‘60. Ishte personi i parë që iu kujtua Bibisë.

Në vitet ‘30 edhe ajo vijonte ta kontestonte Zogun, por njëherazi, intuitivisht arrinte ta kuptonte që pushteti i dikurshëm kishte marrë fund dhe që Zogu, ishte tani pushteti real. Siç besonte, ndryshe nga të tjerat, që njerëzit e shkolluar do të merrnin tjetër vlerë dhe se pushteti nuk mund të ushtrohej më si në kohën e Perandorisë Osmane.

Bibia u lidh me njerëzit e shkolluar. Jo vetëm u martua me një profesor të diplomuar në Amerikë, por priste e përcillte gazetarë, mësues, shkrimtarë në shtëpinë e saj të madhe, në Lagjen e Shallvareve. Besonte se karizma e tyre, tërhiqte më shumë sesa ajo e burrave të fortë që shëtisnin ende majë kalit, por që nuk kishin studiuar. As vetë nuk studioi dot, edhe pse njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, përfshirë osmanishten.

Bibia u bë e para, që nisi të pranojë dhe të respektojë jo vetëm autoritetin politik, që tashmë ishte bërë i padiskutueshëm, por edhe atë tjetrin, që po lindte: fuqinë dhe pushtetin e tregtarëve.

Tregtarët ishin një klasë jo e panjohur në Tiranë, por pa dyshim, me një perceptim shumë ndryshe nga ai që kishin në Korçë, Shkodër e madje edhe Durrës. Tregtarët tiranas ishin kryesisht njerëz, që blinin dhe shisnin me sasi të vogla, me dyqane të vogla, më shumë zejtarie. Ndërkohë që në Korçë ata po shndërroheshin në një borgjezi reale, në Tiranë ishin ende në nivelin e shitësit të perandorisë. Tiranasit ruanin kultin e tokës dhe të floririt. Tregtarët e Korçës dhe të Shkodrës atë të investimeve. Jepnin e merrnin me shumë vende fqinje, duke ndërtuar një rrjet të jashtëzakonshëm. Por, pas instalimit të pushtetit të centralizuar në vitin 1925, tregtia në Tiranë nisi të lulëzojë. Në vend u krijua një klasë e vërtetë tregtarësh, të cilët jo vetëm shisnin e blinin apo investonin, por u munduan të krijojnë edhe një stil të re jetese. Ata ndërtuan në Tiranë vila moderne, projektuar nga arkitektë italianë. I mobiluan në Bari apo Romë. Vilat, rrethuar me oborre të bukura ngriheshin në troje identike, në Tiranën e re, në krah të atyre të nëpunësve të lartë të mbretit. Vilat qenë trendi më i ri i qytetit ose gara e vanitetit, që po lindte. Deri atë ditë, shtëpitë më të mira në qytet dhe zonat përreth i kishin pasur Toptanasit. Por shtëpitë e mëdha në stil osman të bejlerëve, ndërtuar me mjeshtër, pa arkitektë, u vjetruan. Vende-vende ishin rrjepur apo kishin vënë bark. Ato nuk shkëlqenin si shtëpitë e reja të tregtarëve. Toptanasit nuk po e kapnin më ritmin. Ata kishin humbur pushtetin politik në qytet, me ardhjen aty të qeverisë. Por përditë po humbisnin edhe pushtetin ekonomik. Çifligjet e mëdha po zvogëloheshin si pasojë e trashëgimisë. Familjarët s’po martoheshin më mes tyre dhe mbi të gjitha, stili osman i jetës, kur shumica e gjërave paguhej në natyrë, s’kishte më vlerë. Tani, me pak përjashtime, ata kishin edhe probleme të forta financiare. Disa ferma të ngritura nga italianët e zhvleftësuan fare bujqësinë, që vinte nga çifligjet. Ndryshimi ishte aq i shpejtë, sa për 20 vite tregtarët u bënë një klasë dominuese, pas klasës politike, duke i lënë bejlerët dhe konkretisht në Tiranë, Toptanasit, thjesht si relikte të së shkuarës.

Këtë e ndiente mbi të gjitha Nona. Nuk e honepste dot Zogun, nuk e honepste dot shpurën e tij që e konsideronte injorante; nuk i duronte dot pasanikët e rinj të biznesit që fituan shpejt, në shumicën e tyre, një arrogancë dhe vanitet qesharak. Por, nga ana tjetër, dukej se e kuptonte që stili i jetesës i babait të saj dhe i gjithë asaj klase në përgjithësi, kishte vdekur tashmë. Vite më pas, kur lexova kujtimet e Eqrem Bej Vlorës, që Bibia e kishte djalë tezeje, gjeta të njëjtën ndjesi që ai e nënvizonte në 1913-n. Duke parë mbeturinat e fundit të ushtrisë osmane, të sfilitur nga Lufta Ballkanike, që largoheshin, ai befas mendoi që bashkë me ta po perëndonte edhe fuqia e një familjeje apo e një klase, që pushtetin e saj e ngriti nën atë regjim dhe sipas atij sistemi.

Po, Zogu i theu rregullat e vjetra. Ai e trazoi jetën e Toptanasve, por gjithçka që bëri ishte minore në raport me atë që më pas do të prodhonte Enver Hoxha.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix10 orë më herët

Celine Dion publikon foton e rrallë me dy binjakët e saj 13 vjecarë!

Së fundmi, Celine Dion, e cila është larguar prej kohësh nga qendra e vëmendjes për shkak të problemeve shëndetësore, ka...

Mix10 orë më herët

Meghan Markle thuhet se është në panik, një dokumentar i ri do të zbulojë detaje tronditëse nga martesa e saj e parë!

Meghan Markle, sot Dukesha e Sussex prej martesës së saj me Princ Harry, ka një të kaluar pak të njohur...

Mix10 orë më herët

Keni dhimbje barku, por nuk jeni me perioda? +10 shkaqet pse mund të ndodhë

FOTO: ARIS LEOVEN | CANVA Keni dhimbje të forta barku, por nuk jeni me menstruacione? Kjo është një ndjesi e...

Mix10 orë më herët

Nëse do të provosh një model klasik flokësh, frymëzohu nga Selena Gomez

FOTO: GETTY IMAGES Momentet më të bukura të stilit nga tapeti i kuq në jug të Francës, ku po mbahet...

Mix10 orë më herët

Ju prezantojmë me 8 ushqimet më të mira për shëndetin e trurit

FOTO: MARYNA IAROSHENKO / GETTY IMAGES E dini që 20% e kalorive që merrni nga ushqimet përdoren nga truri ynë?...

Mix10 orë më herët

Nëse të pëlqen “Bridgerton”, mos i humb këto seriale

NETFLIX E dimë që jë nga njerëzit e shumtë të fiksuar me “Bridgerton”, të kuptojmë dhe të sugjerojmë plot 11...

Mix10 orë më herët

Video tronditëse ku Diddy dhunon Cassie: Reagon bashkëshorti i këngëtares

 Bashkëshorti i Cassie Ventura, Alex Fine, ka bërë një reagim pas videos shokuese ku Diddy dhunonte ish-të dashurën në një dhomë hoteli...

Mix10 orë më herët

Bianca Censori, kundër projektit për të rritur të Kanye West

Në fund të muajit të kaluar, Kanye West ndau në një postim në Instagram që nuk është më i disponueshëm...

Mix10 orë më herët

3 shenjat e horoskopit që flasin pas shpine

Të gjithë kënaqemi me thashethemet, disa më shpesh e të tjerë më rrallë. Por ka disa shenja që janë më...

Radar11 orë më herët

Ilir Ikonomi publikon fakte të reja: Ndryshe nga sa thuhet, Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë patur marrëdhënie mjaft të mira

Studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se, “ndryshe nga sa thuhet ndonjëherë, Ahmet Zogu...

Facebook